Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestës së zhvilluar jashtë Kuvendit, duke shprehur solidaritet me efektivët e policisë të plagosur gjatë përplasjeve.
Balla deklaroi se, sipas tij, organizatorët kryesorë të akteve të dhunshme janë persona të identifikuar prej tyre si të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit. Këto pretendime të Ballës nuk janë shoqëruar në këtë deklaratë me prova publike.
“Shprehim solidaritetin dhe lutjet që 4 punonjës të policisë të plagosur nga dhuna barbare nga disa elementë terroristë, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë goditur punonjës të policisë së shtetit, të cilët janë aktualisht në QSUT. Uroj që shëndeti dhe jeta e tyre të mos rrezikohet”, tha Balla.
Ai i bëri thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga dhuna, duke e akuzuar opozitën se nuk ka dënuar aktet e regjistruara gjatë protestës.
“Është keqardhje që PD jo vetëm që nuk e dënon dhunën, por bie pre e një solidariteti të turpshëm me disa terroristë, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën që nisi kundër dhunës”, u shpreh ai.
Balla theksoi se Policia e Shtetit duhet të mbrohet dhe paralajmëroi se institucionet nuk do të tolerojnë sulmet ndaj uniformave blu.
“Ne për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjaku i policëve është gjaku i vetë shtetit, kush guxon të ngrejë dorë mbi policët, ka ngritur dorë kundër shtetit”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist.
Ai shtoi se Kuvendi duhet të dënojë ashpër dhunën dhe kërkoi ndërhyrjen e drejtësisë për personat përgjegjës për incidentet.





