Policia e Vlorës ka dhënë detaje zyrtare në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Vlorë–Llogara, në vendin e quajtur “Fushë Dukat”.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 06:10, një automjet tip furgon, që drejtohej nga shtetasi S. R., 22 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, shtetasi I. H., 52 vjeç.
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit dhe tre pasagjerët e tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.





