Aksidenti tragjik pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ku humbën jetën dy shtetas egjiptianë, ka rikthyer në vëmendje një nga segmentet më problematike të qarkullimit në Tiranë, ndërsa bilanci i aksidenteve në vend vijon të mbetet shqetësues.
Aksi i Unazës Lindore, që lidh zonën e Farkës me rrethrrotullimin e TEG-ut dhe autostradën Tiranë–Elbasan, është bërë prej kohësh skenë e aksidenteve të rënda. Segmenti i drejtë, i shoqëruar me një tatëpjetë të lehtë, shpesh nxit drejtuesit e mjeteve të tejkalojnë shpejtësinë e lejuar.
Rasti më i fundit ndodhi të mërkurën, kur një kamion pompë betoni u përplas me një automjet tjetër në rrethrrotullim dhe më pas përfundoi poshtë në autostradë. Si pasojë humbën jetën dy punonjës egjiptianë. Shkaqet e plota të aksidentit pritet të përcaktohen nga ekspertiza, megjithatë pamjet paraprake tregojnë se mjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë.
Një aksident me skenar të ngjashëm ishte regjistruar edhe në mars të vitit 2023, kur një automjet që lëvizte me shpejtësi të madhe doli nga rruga në të njëjtin segment, duke përfunduar në autostradë. Nga ai aksident humbën jetën drejtuesi i mjetit dhe dy vajza që udhëtonin si pasagjere.
Muajt e fundit janë shënuar edhe disa aksidente të tjera tragjike në vend. Më 14 korrik, në aksin Cërrik–Mollas, përplasja e një “Benzi” me një “Smart” shkaktoi dy viktima dhe një të plagosur. Dy ditë më vonë, në rrugën Elbasan–Librazhd, një 19-vjeçar humbi jetën pasi automjeti që drejtonte doli nga rruga. Më 18 korrik, në Zvërnec, humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti gjatë një aksidenti me motor me katër rrota. Ndërsa më 30 qershor, një autobus i linjës Berat–Tiranë u përplas në autostradën Durrës–Tiranë, në Yrshek, ku humbi jetën shoferi dhe u plagosën 12 pasagjerë.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, në periudhën 1 qershor – 25 korrik kanë humbur jetën 28 persona në aksidente rrugore, 11 prej tyre vetëm gjatë muajit korrik. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar rreth 240 aksidente, me dhjetëra persona të plagosur.
Të dhënat e përpunuara nga INSTAT për pesë muajt e parë të vitit tregojnë se janë regjistruar 547 aksidente rrugore, ku kanë humbur jetën ose janë plagosur 766 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i aksidenteve është rritur me 18 raste, ndërsa numri i viktimave dhe të plagosurve ka pësuar një rënie të lehtë, nga 783 në 766 persona.
Ekspertët lidhin rritjen e aksidenteve me shtimin e numrit të automjeteve në qarkullim dhe fluksin e turistëve gjatë sezonit veror. Sipas statistikave, në fund të vitit 2025 numri i mjeteve të regjistruara në Shqipëri kaloi për herë të parë shifrën e një milion automjeteve, duke shënuar një rritje prej 9.3% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, masat ndëshkuese të Policisë Rrugore nuk kanë arritur ende të frenojnë fenomenin. Në vitin 2025 u vendosën mbi një milion masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, dyfish më shumë se në vitin 2021. Vetëm gjatë një nate të kësaj fundjave, kamerat inteligjente evidentuan 206 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi deri në 212 kilometra në orë.
Përballë këtij bilanci, Kuvendi ka miratuar ndryshime në Kodin Rrugor, të cilat hyjnë në fuqi në fillim të muajit gusht. Mes tyre parashikohet edhe heqja përfundimtare e lejes së drejtimit për drejtuesit që kapen për herë të dytë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.





