Një masiv i madh shkëmbor është shembur këtë të shtunë në aksin nacional Burrel–Klos, në zonën e njohur si “Shkëmbi i Kuq”, duke krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve.
Si pasojë e rrëshqitjes së shkëmbinjve, lëvizja në këtë segment rrugor është kufizuar dhe automjetet po kalojnë vetëm në një korsi, me kujdes të shtuar për shkak të rrezikut të mundshëm.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po drejtojnë trafikun për të shmangur incidentet.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes në këtë aks dhe të respektojnë udhëzimet e policisë deri në normalizimin e qarkullimit.





