Protestat kundër qeverisë vijuan edhe në ditën e 56-të, ndërsa gjatë tubimit në bulevard nuk munguan deklaratat e forta të qytetarëve kundër kryeministrit Edi Rama dhe thirrjet drejtuar institucioneve të drejtësisë.
Një prej protestuesve mbajti një fjalim me tone të ashpra, duke akuzuar kryeministrin se nuk përfaqëson interesat e qytetarëve dhe duke i bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të ndërmarrë veprime.
“Ky ka besën e gjarprit… Edi Rama s’mund të lidhë besë me ne, me shqiptarët sepse e ka lidhur me Ergys Agasin, s’mund të lidhë besë me shqiptarët sepse e ka lidhur besën me Belinda Ballukun.
O SPAK… mos e fut kokën në rërën e plazhit, por çoje kërkesën në Kuvend për arrestimin e njeriut që mban peng fatin e këtij këtu. O SPAK, nis hetimin e Zvërnecit. S’mund ta lidhë besën me banorët e Rrjollit, Zvërnecit, sepse e ka lidhur besën me investitorët hajdutë… e ka lidhur besën me patronazhistët e administratës”, u shpreh protestuesi.
Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi gjithashtu se, sipas tij, qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit.
Protestat e opozitës dhe qytetarëve vijojnë prej 56 ditësh radhazi, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe adresimin e problematikave që, sipas tyre, prekin vendin.





