Protesta e 56-të në Bulevard është zhvilluar mbrëmjen e djeshme përpara Kryeministrisë, ku qytetarë të mbledhur poshtë zyrës së Edi Ramës kanë vijuar thirrjet për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish ditën e hënë, në kohën kur Kuvendi pritet të zhvillojë seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, për të vijuar protestën para institucioneve.
Gjatë fjalimeve në podiumin e improvizuar, mes protestuesve janë shfaqur edhe qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën e reagimit gjatë tubimeve, veçanërisht për hedhjen e vezëve ndaj deputetëve pranë Parlamentit.
Një prej protestuesve u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin hedhjen e vezëve, duke argumentuar se veprime të tjera të dhunshme nga individë të veçantë mund të dëmtojnë imazhin e protestës.
“Nuk ka ndonjë problem në vetvete me gjuajtjen me vezë apo se po më dhimbsen makinat e deputetëve, por problem është që kur ne gjuajmë me vezë, dy tre individë gjuajnë me gurë dhe kjo dëmton imazhin e protestës që kemi ndërtuar në këto 56 ditë. Për këtë arsye do ju ftoja që asnjë prej nesh mos të gjuajë me vezë dhe të ruajmë një habitat të qetë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, një tjetër protestues mbajti një qëndrim ndryshe, duke thënë se secili duhet të vendosë vetë nëse do të përdorë vezët gjatë protestës.
“Kush të dojë të gjuajë me vezë, kush të dojë të mos gjuajë. Unë sot shkova bleva për t’i futur atje te vendi që t’i bëjmë gati për datën 27 në mëngjes, por kishin skaduar më 16 korrik… kështu që mendoj do jenë më të mira kur t’i gjuajmë, do i lëmë dhe pak në diell që të bëhen sulfur dhe veprimin e bëjnë të saktë”, deklaroi ai.
Protestat vijojnë prej 56 ditësh, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike, largimin e qeverisë dhe ngritjen e një qeverie teknike.





