Banka Qendrore Europiane ka prezantuar modelet e reja të kartëmonedhave euro, të cilat do të jenë të parat që do të ridizenjohen që prej futjes në qarkullim të monedhës së përbashkët europiane në vitin 2002.
Qytetarët e vendeve të eurozonës do të kenë mundësi të votojnë për dizajnin e tyre të preferuar, ndërsa kartëmonedhat e reja pritet të hyjnë në përdorim vetëm pas disa vitesh, pas përfundimit të procesit të prodhimit dhe testimit.
BQE ka publikuar dhjetë propozime për serinë e ardhshme të kartëmonedhave euro, të ndara në dy tema kryesore: “Kultura Europiane” dhe “Lumenjtë dhe Zogjtë”.
Në serinë kushtuar kulturës europiane janë përfshirë figura të njohura historike dhe artistike, si Ludwig van Beethoven, Leonardo da Vinci, Maria Callas, Marie Curie, Miguel de Cervantes dhe Bertha von Suttner.
Ndërsa tema “Lumenjtë dhe Zogjtë” fokusohet te natyra europiane, duke paraqitur peizazhe ujore dhe shpendë karakteristikë të kontinentit.
Banka Qendrore Europiane ka hapur një konsultim publik deri më 21 shtator, ku qytetarët mund të japin mendimin e tyre për modelet e propozuara. Vendimi përfundimtar për dizajnin fitues pritet të merret në fund të vitit 2026.
Kartëmonedhat e reja do të pajisen me elemente më të avancuara sigurie për të luftuar falsifikimin, do të jenë më të aksesueshme për personat me dëmtime në shikim dhe do të prodhohen me materiale më miqësore me mjedisin.
Megjithatë, ato nuk do të hidhen menjëherë në qarkullim. Procesi i prodhimit, testimit dhe përgatitjes së tyre do të zgjasë disa vite.
Kartëmonedhat aktuale euro do të vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe do të qarkullojnë paralelisht me serinë e re edhe pas prezantimit të saj.





