Këngëtari i njohur Gjesti u ka bërë një apel publik fansave të tij, duke kërkuar që të respektojnë privatësinë e tij dhe të familjes, pasi, sipas tij, shumë admirues kanë shkuar vazhdimisht pranë banesës së tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti shprehet se e vlerëson pafund dashurinë dhe mbështetjen që merr nga publiku, por thekson se shtëpia është i vetmi vend ku përpiqet të gjejë qetësi dhe të kalojë kohë me familjen.
“Ju lutem, kam një kërkesë prej zemrës. E di që shumë prej jush vini te shtëpia jem me dëshirën me më taku ose me bo një foto me mua, dhe e vlerësoj pafund këtë dashni. Ama ju lutem më kuptoni edhe mua. Shtëpia është i vetmi vend ku mundohem me pushu, me kalu kohë me familjen dhe me gjet pak qetësi. Kur vjen dikush çdo ditë te dera, bëhet shumë e vështirë me pas atë qetësi.”
Gjesti thekson se nuk dëshiron që asnjë fans të ndihet i refuzuar apo i nënvlerësuar, duke nënvizuar se është mirënjohës për mbështetjen që ka marrë gjatë gjithë karrierës së tij.
“Nuk dua që askush me u ndje i refuzum ose i parespektum. Përkundrazi, ju dua dhe ju falënderoj secilin prej jush. Por ju kërkoj me shumë respekt që të mos vini te shtëpia jem.”
Artisti shton se do të ketë plot mundësi për t’u takuar me ndjekësit e tij në koncerte, evente dhe aktivitete publike, ku do të jetë gjithmonë i gatshëm të bëjë foto dhe të kalojë kohë me ta.
“Do të kemi plot raste me u taku në koncerte, evente dhe vende publike, ku me shumë qejf bëjmë foto dhe kalojmë kohë bashkë. Faleminderit që më kuptoni dhe që e respektoni privatësinë time dhe të familjes sime. Kjo për mua do të thotë shumë. ❤️”





