Vendimi i Kosovës për zbatimin e Ligjit për Turizmin, i cili nga 1 gushti kërkon që udhërrëfyesit turistikë të jenë të licencuar, ka shkaktuar reagime të forta në Serbi dhe në Kishën Ortodokse Serbe.
Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, ka reaguar ndaj masave të reja, duke pretenduar se ato synojnë, sipas tij, “shuarjen e identitetit serb” në Kosovë.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Vuçeviq tha se nën arsyetimin e rregullimit të tregut turistik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ndërmerr veprime që prekin Kishën Ortodokse Serbe dhe besimtarët serbë.
Ai kundërshtoi veçanërisht kërkesën që pelegrinët serbë që vizitojnë manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Patriarkanës së Pejës të shoqërohen nga udhërrëfyes të licencuar, duke e cilësuar këtë si një “përpjekje për përvetësim të trashëgimisë serbe”.
Edhe Dioqeza Rashkë-Prizren ka reaguar ndaj ligjit të ri, duke deklaruar se vizitat fetare nuk duhet të trajtohen si turizëm komercial dhe se manastiret janë vende lutjeje dhe shërbimi fetar.
Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë sqaruar se Ligji për Turizmin ka për qëllim rregullimin e profesionit të udhërrëfyesit turistik dhe garantimin që vizitorët të marrin informacion të saktë nga persona të certifikuar.
Sipas institucioneve kosovare, zbatimi i ligjit synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe rritjen e standardeve në sektorin e turizmit. Personat që do të ushtrojnë aktivitetin e udhërrëfyesit turistik pa licencë do të përballen me masa ndëshkuese.
Debati pritet të vijojë, pasi çështja prek jo vetëm rregullimin e sektorit turistik, por edhe një prej temave më të ndjeshme politike dhe kulturore mes Kosovës dhe Serbisë.





