Një sulm me dron i kryer nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SSU) ka goditur një nga objektet më të rëndësishme energjetike në Rusi, Rafinerinë e Naftës në Perm, e cila ndodhet mbi 1500 kilometra larg territorit ukrainas.
Pas sulmit, në kompleksin Lukoil-Permnefteorgsintez shpërtheu një zjarr i madh, ndërsa raportimet paraprake bëjnë me dije se flakët përfshinë njësinë kryesore të përpunimit të naftës.
SSU deklaroi se goditja e rafinerive ruse ka rëndësi strategjike, pasi këto objekte furnizojnë me karburant pajisjet ushtarake, avionët dhe logjistikën e ushtrisë ruse.
Sipas autoriteteve ukrainase, industria e përpunimit të naftës përbën gjithashtu një burim të rëndësishëm financiar për buxhetin e Moskës dhe përdoret për mbështetjen e luftës kundër Ukrainës.
Rafineria e Perm konsiderohet ndër impiantet më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi, me një kapacitet prej rreth 13 milionë tonësh naftë në vit. Objekti furnizon si tregun civil, ashtu edhe strukturat ushtarake ruse.
Deri tani, autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje të plota mbi dëmet e shkaktuara nga sulmi, ndërsa Ukraina vijon strategjinë e goditjes së infrastrukturës energjetike që e konsideron të lidhur me përpjekjet luftarake të Moskës.





