Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë procedurale që i hap rrugën shqyrtimit dhe votimit të 74 emërimeve të administratës amerikane, mes të cilave edhe kandidatura e Eric Wendt për ambasador të SHBA-së në Shqipëri.
Rezoluta u miratua të enjten, më 30 korrik, me 50 vota pro dhe 47 kundër, kryesisht sipas vijave partiake. Përfshirja e emrit të Wendt në këtë listë nuk përbën ende konfirmimin e tij si ambasador, por e çon kandidaturën në fazën e votimit përfundimtar në Senat.
Nëse konfirmohet, Eric Wendt do të bëhet ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada amerikane në Shqipëri është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa kandidaturat e mëparshme nuk u finalizuan.
Kandidatura e Wendt u dorëzua në Senat më 13 prill 2026 nga Presidenti amerikan Donald Trump. Më 20 maj ai dëshmoi para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku prezantoi vizionin e tij për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
“Për më shumë se 34 vite kam shërbyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ushtar aktiv”, deklaroi Wendt, duke theksuar përvojën e tij në Departamentin amerikan të Shtetit dhe në strukturat e NATO-s.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me Forcat e Operacioneve Speciale shqiptare gjatë misioneve të NATO-s dhe në Afganistan.
“Forcat Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftëtar të heroit shqiptar Skënderbeu, ndërsa populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, u shpreh ai.
Wendt bëri të ditur se, nëse konfirmohet nga Senati, do të përqendrohet në katër prioritete kryesore: forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës; rritjen e partneritetit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përfshirë kapacitetet ushtarake dhe kibernetike; nxitjen e investimeve amerikane në inteligjencën artificiale, energji, infrastrukturë dhe miniera; si dhe përmirësimin e mirëqenies së stafit diplomatik amerikan në Shqipëri.
“Bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të mirëpriten dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë, me transparencë dhe rregulla të barabarta ligjore”, deklaroi ai gjatë seancës dëgjimore.
Më herët, më 4 qershor, Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi kandidaturën e Eric Wendt me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke ia kaluar për shqyrtim përfundimtar Senatit amerikan.





