Biznesmeni Orest Sota, i arrestuar në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen “Aruba”, është transferuar në Spitalin e Burgut pasi ka shfaqur probleme shëndetësore.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shqyrtuar kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë, por vendosi të lërë në fuqi masën “arrest në burg”, duke rrëzuar pretendimet e mbrojtjes.
Avokatët e Sotës argumentuan se gjendja e tij shëndetësore, si edhe mungesa e provave që e lidhin me aktivitetin kriminal, justifikonin zëvendësimin e masës me një më të lehtë. Megjithatë, trupa gjykuese vlerësoi se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi gjendjen shëndetësore të biznesmenit apo arsyet konkrete që çuan në transferimin e tij në Spitalin e Burgut.
Orest Sota u arrestua në kuadër të operacionit të SPAK për dosjen “Aruba”, e cila lidhet me një organizatë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa ai do të mbetet nën masën e sigurisë “arrest në burg”, edhe pse aktualisht po trajtohet në Spitalin e Burgut.
Vendimi i GJKKO-së së Apelit
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, vendosi më 30 korrik 2026 miratimin e urdhrave të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi konfirmon masat e sigurisë për Orest Sotën, Dritan Agën, Edmond Jaupin, Orges Birçajn dhe Leonard Bishajn, duke lënë në fuqi urdhrat e lëshuar më 14 dhe 17 qershor 2026.





