Ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar reformën administrative-territoriale të vitit 2014, duke e cilësuar atë si një dëm të madh për komunitetet lokale dhe zhvillimin e zonave rurale.
Në një deklaratë, Berisha tha se reforma territoriale është një çështje me rëndësi jetike për shoqërinë shqiptare, ndërsa e akuzoi qeverisjen aktuale se ka sjellë dobësim të shërbimeve dhe largim të banorëve nga zonat rurale.
“Reforma territoriale është një reformë e një rëndësie jetike për komunitetet lokale dhe shoqërinë shqiptare. Antireforma territoriale e vitit 2014 u faktua në përfundimtare si një levë Arkimedi për shpopullimin e Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, bashkimi i njësive vendore nga 410 bashki e komuna në 61 bashki ka ndikuar negativisht në zonat rurale.
“Reforma që u përdor në vitin 2014, që solli nga 410 njësi vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, gjithsej 61 bashki apo njësi të qeverisjes vendore, ishte goditja më e rëndë që ajo që mund ta quajmë Shqipëria rurale mori”, deklaroi ai.
Berisha pretendoi se një pjesë e madhe e popullsisë ka humbur aksesin te shërbimet dhe përfaqësimi vendor.
“Mbi 45 përqind e popullatës humbi shërbimet, humbi qeverisjen direkte me njerëz të zgjedhur prej saj. Humbi të gjithë perspektivën e jetesës në komunat ku jetonin. Koha për Shqipërinë rurale ndaloi”, tha ish-kryeministri.
Ai solli si shembull zonën e Shëngjergjit në Tiranë, duke pretenduar se prej vitesh nuk janë bërë investime.
“Nga viti 2013 gjer sot, në këtë zonë nuk është investuar një qindarkë. Por ju them unë, se në atë zonë dhe përtej asaj zone, janë disa nga potencialet malore turistike më mahnitëse të vendit”, u shpreh Berisha.
Ai përmendi gjithashtu zona si Baldushku, Preza dhe Ndroqi, duke akuzuar se banorët janë lënë pa zhvillim dhe përballen me mungesë shërbimesh.
Në përfundim, Berisha kritikoi mënyrën e përdorimit të fondeve publike, duke deklaruar se miliarda euro janë shpenzuar për projekte urbane, ndërsa sipas tij zonat rurale kanë mbetur pas.
“3.2 miliardë euro u vodhën në pllakat e qendrave të qyteteve. Me 3.2 miliardë euro u ndërtuan në Shqipërinë rurale mbi 8 mijë kilometra rrugë, u ndërtuan dhe u rindërtuan mbi 1 mijë objekte arsimi, qendra shëndetësore. Që të gjitha janë me regjistër. Në 14 vite, as me gishtërinjtë e duarve nuk numërohen”, përfundoi Berisha.





