Prishtinë – Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka kritikuar deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, ku ky i fundit rikonfirmoi se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj lidhur me Kosovën.
Goncharenko, i cili është iniciues i projektligjit për njohjen e Kosovës në Parlamentin e Ukrainës, e cilësoi deklaratën e Zelenskyt si një “gabim diplomatik”.
Përmes një postimi në rrjetin social X, deputeti ukrainas publikoi gjithashtu një fotografi që tregon heqjen e sloganit “Free Ukraine” nga “Hotel Grand” në Prishtinë.
Goncharenko shprehu mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe theksoi se do të vijojë përpjekjet për njohjen e saj nga Ukraina.
“Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, shkroi deputeti ukrainas.
Deklaratat vijnë pas qëndrimit të përsëritur të presidentit Zelensky në Beograd lidhur me politikën e Ukrainës ndaj Kosovës, duke hapur debat edhe brenda politikës ukrainase mbi këtë çështje.





