Angli – Sezoni i ri duket se po nis me të njëjtat probleme për Armando Brojën. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka humbur nga radarët e Burnley-t, ndërsa sinjalet e para nga Anglia nuk janë aspak pozitive.
Përkundrazi, situata paralajmëron një tjetër sezon të vështirë për futbollistin shqiptar, pas një edicioni të kaluar ku pati pak minuta në fushë dhe skuadra përfundoi duke rënë një kategori më poshtë.
Burnley zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare të sezonit në Kupën e Ligës Angleze, duke siguruar një kualifikim të vështirë ndaj Notts County vetëm pas goditjeve të penalltive.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte mungesa e Armando Brojës në listën e lojtarëve të grumbulluar për këtë takim.
Trajneri Nicky Hayen nuk ka dhënë një shpjegim për këtë zgjedhje, ndërsa nga klubi nuk ka pasur asnjë njoftim për ndonjë dëmtim të mundshëm të sulmuesit shqiptar.
Në këto kushte, mungesa duket se lidhet me një zgjedhje teknike, çka paralajmëron një tjetër sezon të vështirë për Brojën.
Ashtu si në edicionin e kaluar, sulmuesi i Kombëtares shqiptare pritet të duhet të luftojë fort për të fituar hapësira në skuadër.
Ndërkohë, pas disa zërave mediatikë në ditët e para të merkatos së verës, deri tani nuk ka pasur ndonjë interesim konkret për një transferim të mundshëm të Brojës.
Mbetet për t’u parë nëse situata do të ndryshojë në vijim të merkatos apo nëse sulmuesi shqiptar do të përballet sërish me një sezon ku minutat në fushë do të jenë të kufizuara.





