Terreni i vështirë malor nuk pengoi ndërhyrjen e ekipeve, ndërsa autoritetet u bëjnë apel qytetarëve për kujdes maksimal
Katër vatra zjarri janë shuar gjatë dy ditëve të fundit në Has dhe Tropojë, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse, strukturave të emergjencave dhe banorëve ka bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të situatës.
Sipas Drejtorisë së Emergjencave Civile, në Has zjarret janë evidentuar në pyje dhe kullota në fshatin Perollaj, në Njësinë Administrative Golaj, si dhe në fshatin Cahan, në Njësinë Administrative Krumë.
Ndërkohë, në Tropojë, flakët janë shfaqur në fshatin Dushaj, në Njësinë Administrative Fierzë, dhe në Sopot, në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër.
Pavarësisht terrenit të thyer malor dhe vështirësive për ndërhyrje, ekipet në terren kanë arritur të izolojnë vatrat dhe të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Nga zjarret janë djegur shkurre dhe mbeturina, ndërsa nuk janë raportuar dëmtime në sipërfaqe pyjore apo bimësi.
Ndërhyrja në kohë ka shmangur përhapjen e zjarreve në zona të tjera, në një periudhë kur temperaturat e larta kanë rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e flakëve.
Zjarrfikësit e Kukësit në ndihmë të operacionit në Lurë
Ndërkohë, situata e zjarreve vijon të kërkojë angazhim edhe në zona të tjera të veriut.
Zjarrfikësit e Bashkisë Kukës i janë bashkuar ekipeve që po punojnë për izolimin e zjarrit në Lurë, duke transportuar ujë dhe duke ofruar mbështetje në terren.
Në operacion janë angazhuar edhe mjete dhe kapacitete të tjera, me qëllim forcimin e ndërhyrjes dhe parandalimin e përhapjes së flakëve në sipërfaqe të tjera.
Në kushtet e temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar për zjarre, Bashkitë Has dhe Tropojë u kanë bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.





