Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila refuzoi të shqyrtonte në themel padinë për pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado.
Dado është aktualisht hetuesi i posaçëm që ka në dorë çështjen penale ndaj Veliajt.
Në reagimin e tij, Veliaj pretendon se Gjykata Administrative e mbylli çështjen për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar në themel pretendimin se në momentin e emërimit, në vitin 2008, Ols Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe, sipas padisë, nuk plotësonte kriteret ligjore për emërimin si prokuror.
“Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë kanë ankimuar vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila refuzoi të shqyrtojë në themel padinë që kërkon konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dados në detyrën e prokurorit”, thuhet në reagim.
Sipas Veliajt, thelbi i çështjes është nëse një person mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit në rast se pretendohet se është emëruar në kundërshtim me kriteret ligjore.
“A mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit një person që pretendohet se është emëruar në kundërshtim me kriteret urdhëruese të ligjit? Pikërisht kësaj pyetjeje Gjykata nuk i dha përgjigje”, thuhet më tej.
Veliaj pretendon se bëhet fjalë për “pavlefshmëri absolute”, të cilën e konsideron formën më të rëndë të paligjshmërisë së një akti administrativ. Sipas tij, kjo çështje mund të shqyrtohet në çdo kohë dhe madje edhe kryesisht nga gjykata.
Veliaj: “Pse prokurori duhet të mbetet jashtë kontrollit?”
Në reagim, kryebashkiaku e lidh çështjen me situatën e tij gjyqësore, duke argumentuar se ndërsa ai vetë po përballet me pushtetin penal të shtetit, duhet të ekzistojë edhe mundësia për kontrollin gjyqësor të ligjshmërisë së titullit mbi të cilin një prokuror ushtron kompetencat.
“Kryetari i Bashkisë, i zgjedhur demokratikisht nga rreth 160 mijë qytetarë të Tiranës, i është nënshtruar pushtetit penal të shtetit, ndodhet në paraburgim prej 18 muajsh pa vendim gjykate fajësie dhe po gjykohet për dyshimet e ngritura ndaj tij”, thuhet në deklaratë.
Veliaj ngre më pas pyetjen:
“Përse, atëherë, prokurori që ka ushtruar këtë pushtet penal duhet të mbetet jashtë kontrollit të një gjykate për një pyetje elementare: a e ka fituar ligjërisht statusin dhe kompetencën për të vepruar si prokuror?”
Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me interesin personal të tij, por me një parim më të gjerë të shtetit të së drejtës.
“A janë të gjithë të barabartë përpara ligjit, apo prokurorët dhe gjyqtarët përjashtohen nga kontrolli gjyqësor i ligjshmërisë së titullit mbi të cilin ushtrojnë pushtetin e tyre?”, shprehet Veliaj.
Në përfundim, kryebashkiaku thotë se nuk kërkon imunitet nga ligji, por që i njëjti standard të zbatohet edhe ndaj organit që heton dhe akuzon.
“Barazia para ligjit nuk mund të funksionojë vetëm për të akuzuarin. Edhe pushteti që heton dhe akuzon duhet të provojë se buron nga ligji”, thuhet në reagim.
Veliaj e mbyll deklaratën me kërkesën drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit: “Asnjë imunitet për Kryetarin e Bashkisë, por asnjë imunitet nga kontrolli gjyqësor për prokurorin.”





