Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se do të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, para fundit të vitit, ndërsa bëri një deklaratë të pazakontë lidhur me arsenalin bërthamor të Phenianit.
I pyetur nga gazetarët gjatë një vizite në projektet e ndërtimit që po zhvillohen në Shtëpinë e Bardhë nëse do të takohej me Kim Jong Un, Trump u përgjigj: “Po, do të takohem me të.”
Presidenti amerikan tha gjithashtu se Koreja e Veriut disponon 57 armë bërthamore “shumë të fuqishme”, duke kritikuar zhvillimin e arsenalit bërthamor të vendit.
“Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Nëse do të isha president, nuk do ta kisha lejuar”, deklaroi Trump.
Megjithatë, ai theksoi se marrëdhënia e tij me liderin koreano-verior mbetet pozitive.
“E njoh shumë mirë Kim Jong Un-in dhe gjithçka do të shkojë mirë për sa kohë që kemi një president të zgjuar”, tha Trump.
“Fakti që shkoj mirë me të është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe. Ai ka 57 armë bërthamore shumë të fuqishme”, shtoi presidenti amerikan.
Deklaratat vijnë pasi Trump urdhëroi zyrtarët e Pentagonit të zvogëlojnë pjesëmarrjen e ushtrisë amerikane në stërvitjet e përbashkëta ushtarake vjetore me Korenë e Jugut, duke e lidhur vendimin me “marrëdhënien e tij shumë të mirë” me Kim Jong Un.
Ndërkohë, vlerësimet ndërkombëtare për numrin e armëve bërthamore që zotëron Koreja e Veriut kanë ndryshuar ndër vite.
Në qershor, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI) vlerësoi se Pheniani “ndoshta ka mbledhur rreth 60 koka bërthamore” dhe se disponon material të mjaftueshëm të zbërthyeshëm për të prodhuar të paktën 30 të tjera.





