Ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së dhe ish-i dërguari amerikan për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka reaguar sërish për zhvillimet politike në Kosovë, duke komentuar krizën institucionale dhe procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së në Hagë.
Në një intervistë për “Gazeta Express”, Grenell e cilësoi krizën politike në Kosovë si pasojë të drejtpërdrejtë të veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Situata politike në Kosovë është një krizë e krijuar nga Albin Kurti. Ai ka dështuar ta luftojë korrupsionin dhe po e vazhdon historinë e tij të gjatë të krijimit të bllokadave dhe barrierave sikur që ka bërë sa ka qenë në opozitë”, deklaroi Grenell.
Ai e kritikoi Kurtin edhe për mënyrën se si po menaxhon situatën politike pas zgjedhjeve.
“Ai qartësisht, nuk di si të qeverisë, është i destinuar të jetë në periferi duke u ankuar. Në fakt ai është më i mirë për të drejtuar kritika nga margjinat sesa të udhëheqë një qeveri”, shtoi ai.
Kosova ndodhet prej më shumë se dy muajsh në një situatë të ngërçit institucional pas zgjedhjeve, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për konstituimin e institucioneve dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit. Përplasjet politike kanë shtuar mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje gjatë vjeshtës.
Grenell: Perëndimi e do Thaçin në Kosovë
Duke folur për procesin në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Grenell u shpreh edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili prej vitesh ndodhet në proces gjyqësor së bashku me ish-drejtues të tjerë të UÇK-së.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se vendimi për çështjen pritet të shpallet më 16 shtator.
Grenell, i cili prej kohësh ka bërë thirrje publike për lirimin e Thaçit, tha se Perëndimi do që ish-presidenti të kthehet në Kosovë.
“Perëndimi do që ish-Presidenti Hashim Thaçi të lirohet dhe të kthehet që të ndihmojë për ta udhëhequr Kosovën përsëri”, deklaroi ai.
Sipas Grenell, një rikthim i Thaçit do të sillte një qasje të re në politikën kosovare.
“Besoj se Thaçi do të ketë një perspektivë dhe energji të ripërtërirë për popullin e Kosovës”, tha ai.
Në fund, Grenell e lidhi edhe një herë qëndrimin e tij për Thaçin me kritikën ndaj Kurtit, duke deklaruar: “Perëndimi nuk do të punojë më me Kurtin sepse ai vetëm ankohet dhe krijon bllokada.”





