Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe qarkullimit rrugor gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorit, i cili zhvillohet nga 18 deri më 25 gusht 2026.
Në një deklaratë për mediet, specialisti i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Berat, nënkomisar Lorenc Tanushi, tha se plani i masave synon “parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike”.
Sipas tij, gjatë ditëve të pelegrinazhit do të ketë shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë drejt malit të Tomorit, si dhe në ambientet e jashtme të Teqesë së Kulmakut.
Masat do të zbatohen nga shërbimet e DVP Berat, në bashkëpunim me FNSH Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, pushtetin vendor, PMNZSH-në, Spitalin Rajonal të Beratit dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Ky është itinerari drejt Teqesë së Kulmakut
Për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut, Policia ka përcaktuar itinerarin:
“Hyrja e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut”.
Për kthimin nga mali i Tomorit janë përcaktuar dy itinerare: përmes Bargullazit dhe Pronovikut, ose përmes Novajt dhe Bogovës, të dyja në drejtim të Poliçanit, Uznovës dhe më pas rrugës “Antipatrea”.
“Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës këshillohen të përdorin aksin rrugor Çorovodë-Gjerbës-Teqeja e Kulmakut dhe anasjellas”, njoftoi Tanushi.
Kufizime për mjetet e tonazhit të rëndë
Gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit, nga ora 06:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në disa akse rrugore.
Kufizimi do të zbatohet në akset:
* Vlashuk-Kuçovë–Berat;
* Ura e Kuçit–Dimal–Berat;
* Berat–Mali i Tomorit;
* Berat–Çorovodë.
Gjithashtu, autobusët, furgonët me mbi tetë persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin Plirëz–Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorit.
Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe pelegrinëve që gjatë gjithë periudhës së pelegrinazhit të respektojnë itineraret e përcaktuara, sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të policisë.





