Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Bashkiak të Maliqit, e thirrur për të përcaktuar qëndrimin zyrtar të bashkisë për reformën territoriale dhe propozimin për bashkimin me Korçën, ka përfunduar pa një vendim dhe me përplasje politike.
Mbledhja u thirr pas firmosjes nga një e treta e këshilltarëve dhe kishte vetëm një pikë në rendin e ditës: miratimin e qëndrimit zyrtar lidhur me reformën territoriale dhe propozimin për bashkimin e Maliqit me Korçën.
Por diskutimet zgjatën rreth 20 minuta. Këshilltarët e mazhorancës deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në vendimmarrje, duke kërkuar më shumë informacion mbi projektin e reformës territoriale.
Pas këtij qëndrimi, kryetari i Këshillit Bashkiak deklaroi mbylljen e mbledhjes, duke bërë që vendimi i pritshëm të mos merrej.
Këshilltarët socialistë u larguan nga salla, ndërsa opozita dhe qytetarët e pranishëm reaguan ndaj mënyrës se si u ndërpre mbledhja.
Opozita: 95% e qytetarëve kundër bashkimit me Korçën
Vendimi i këshillit nuk u mor, pavarësisht se më herët ishin zhvilluar dëgjesa me banorët në zona të ndryshme të bashkisë së Maliqit.
Sipas opozitës, rreth 95 për qind e qytetarëve të pyetur gjatë këtyre dëgjesave janë shprehur kundër bashkimit të Maliqit me Korçën.
Në përfundim të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kundërshtoi projektin e bashkimit, ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, akuzoi këshilltarët e mazhorancës se kanë vendosur interesat partiake mbi ato të banorëve.
Përplasjet politike dhe mungesa e një vendimi e lënë të hapur çështjen e së ardhmes administrative të Maliqit, ndërsa pritet që diskutimi për reformën territoriale të rikthehet në tryezën e Këshillit Bashkiak.





