Një 52-vjeçar shqiptar është arrestuar në Mal të Zi, pasi dyshohet se është përfshirë në përdhunimin e një 22-vjeçareje në Kasandra të Halkidikisë, në Greqi, në vitin 2022.
I dyshuari është identifikuar disa vite pas ngjarjes përmes analizave të materialit gjenetik të gjetur në shtratin e stallës ku ai banonte në atë periudhë.
Sipas hetuesve, rezultatet laboratorike kanë krijuar lidhjen mes 52-vjeçarit dhe ngjarjes së hetuar. Arrestimi është kryer të mërkurën e kaluar në Mal të Zi, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet greke.
Pas ndalimit kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Greqisë.
Sipas të dhënave të hetimit, pas ngjarjes 52-vjeçari ishte larguar nga Greqia. Hetuesit dyshojnë se ai mund t’i jetë shmangur identifikimit për një periudhë të gjatë, pasi në deklarimet e para viktima kishte dhënë një identifikim të gabuar të autorit.
Materiali biologjik i gjetur në vendin ku banonte i dyshuari u analizua më vonë dhe rezultatet e ekspertizës laboratorike ndihmuan në identifikimin e tij.
Tashmë autoritetet greke pritet të vijojnë procedurat për marrjen e tij në dorëzim, ndërsa hetimi vazhdon për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë e të dyshuarit.
52-vjeçari pritet të përballet me drejtësinë në Greqi për akuzat që rëndojnë ndaj tij.





