Policia e Tiranës ka finalizuar në 24 orët e fundit dy operacione të koduara “HIJA” dhe “REACTION”, duke zbardhur gjashtë raste vjedhjesh dhe duke vënë në pranga dy persona.
Në kuadër të operacionit “HIJA”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin K. M., 23 vjeç, i cili dyshohet se gjatë periudhës 14 deri më 22 gusht 2026 ka kryer vjedhje në pesë biznese në Tiranë.
Sipas Policisë, 23-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale, por dyshohet se ka dalë nga banesa dhe ka vijuar vjedhjet.
Gjatë kapjes së tij, në sheshin “Skënderbej”, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan edhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Pamjet e kamerave të sigurisë nga një prej bizneseve të goditura tregojnë të riun të maskuar, teksa dyshohet se hap kasat, merr para dhe produkte dhe largohet përmes hapësirave të ngushta të dyerve.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “REACTION”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin Sh. J., 31 vjeç.
Ai dyshohet se ka vjedhur me dhunë dy varëse një shtetaseje në rrugën e “Saraçëve”. Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy varëset, të cilat do të përdoren si prova materiale.
Në njoftimin zyrtar, Policia bëri me dije:
“Tiranë/Finalizohen në 24 orët e fundit, dy operacione për zbardhjen e rasteve të vjedhjes.”
Sipas uniformave blu, materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rasteve dhe përgjegjësisë penale të personave të arrestuar.





