Një 30-vjeçar është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia në Pukë, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike dhe ruante parcelën i armatosur.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në fshatin Kodërbojë, në kuadër të aksioneve për goditjen e kultivimit të kanabisit, i riu nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar.
Një prej efektivëve ka qëlluar në ajër për ta paralajmëruar që të ndalonte, por personi, i cili dyshohet se ishte i armatosur, ka përfituar nga terreni i vështirë dhe është larguar.
Në njoftimin e Policisë thuhet:
“Në vijim të veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i tij, konkretisht shtetasi K. L., 30 vjeç, banues në fshatin Kodërbojë, Pukë, i cili u shpall në kërkim. Ky shtetas dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike të konstatuara në parcelë dhe i ruante ato i armatosur me armë zjarri.”
Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 30-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.





