Autoritetet greke po hetojnë në detaje të kaluarën dhe marrëdhënien e një 48-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili vrau një 45-vjeçare në Nea Smyrni të Athinës dhe më pas kreu vetëvrasje.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të së dielës, rreth orës 05:30, jashtë një pallati në rrugën “Grigoriou Kydonia”, ku viktima jetonte me vajzën e saj 16-vjeçare.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, 48-vjeçari kishte pritur në automjetin e tij jashtë banesës. Kur gruaja doli nga pallati, ai iu afrua dhe e qëlloi me revolver. Më pas, ktheu armën nga vetja dhe i dha fund jetës.
Kamerat dhe komunikimet, në fokus të hetimit
Pamjet e kamerave të sigurisë konsiderohen ndër provat kryesore për hetuesit, pasi dyshohet se kanë regjistruar momentet para dhe gjatë krimit.
Policia po përpiqet të zbardhë natyrën dhe kohëzgjatjen e marrëdhënies mes 48-vjeçarit dhe viktimës, pasi kjo mund të ndihmojë në përcaktimin e motivit.
Në kuadër të hetimit, autoritetet kanë kontrolluar banesën e 48-vjeçarit në Tavros, ku janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumente dhe materiale të tjera.
Telefonat celularë dhe aktiviteti online i dy personave po analizohen për të rindërtuar komunikimet dhe lëvizjet e tyre para ngjarjes.
Sipas mediave greke, 48-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një fëmijë. Bashkëshortja e tij është marrë në pyetje nga autoritetet dhe, sipas dëshmisë së saj, nuk kishte dijeni për një lidhje jashtëmartesore të bashkëshortit.
E kaluara në Shqipëri nën hetim
Hetuesit po shqyrtojnë edhe të kaluarën e 48-vjeçarit në Shqipëri.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, ai ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2016, nën dyshimin për përdhunimin e bashkëshortes së tij. Po ashtu, ndaj tij raportohet se kishte pasur edhe një çështje gjyqësore për përndjekje.
Policia greke po analizon gjithashtu profilet e tij në rrjetet sociale, ku dyshohet se kishte publikuar fotografi duke pozuar me armë. Hetuesit po verifikojnë nëse revolveri i përdorur në krim është i njëjti që shfaqet në këto fotografi.
Hetohet edhe një denoncim i viktimës
Në vëmendjen e autoriteteve është rikthyer edhe një denoncim i bërë nga 45-vjeçarja në korrik të vitit 2024 në Stacionin e Policisë së Akropolit, lidhur me një ish-partner që nuk i kishte kthyer një motoçikletë pas ndarjes.
Hetuesit po verifikojnë nëse ky episod kishte lidhje me 48-vjeçarin.
Nëna e viktimës ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ndonjë marrëdhënie mes vajzës së saj dhe autorit. Ajo tha se 45-vjeçarja ishte ndarë prej kohësh nga ish-bashkëshorti dhe nuk i kishte treguar asgjë për ndonjë lidhje tjetër.
Hetimi vijon për të zbardhur motivin e saktë të krimit dhe rrethanat që çuan në vrasjen e 45-vjeçares dhe vetëvrasjen e autorit.





