Një 41-vjeçar është arrestuar nga Policia në Lezhë, pasi qarkullonte me një automjet të blinduar dhe nuk iu bind urdhrit të efektivëve për të ndaluar.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e 27 gushtit në fshatin Torovicë, ku shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi Arben Mhillajt. 41-vjeçari dyshohet se ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të efektivëve.
Pas disa minutash ndjekjeje, Mhillaj është kapur në fshatin Malecaj të Lezhës.
Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, Policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, e cila është sekuestruar së bashku me automjetin.
Sipas Policisë, gjatë ndjekjes 41-vjeçari ka hedhur në tokë edhe krehërin e armës me disa fishekë. Edhe këto janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në njoftimin zyrtar, Policia bëri të ditur se operacioni i koduar “Unaza” u zhvillua nga strukturat për hetimin e krimeve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë.
“Ky shtetas u lokalizua në fshatin Torovicë, duke qarkulluar me një automjet të blinduar. Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej, blutë sqarojnë se pas ndjekjes, në fshatin Malecaj u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti i blinduar, 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe krehri i saj me disa fishekë, të cilat drejtuesi i automjetit i hodhi në tokë gjatë ndjekjes nga Policia”, njofton Policia.
Arben Mhillaj rezulton i njohur më herët për autoritetet, me precedent penal për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Ndërkohë, emri i familjes Mhillaj është përmendur edhe në një tjetër ngjarje të rëndë. Vëllai i Arbenit, Florin Mhillaj, bashkë me dy persona të tjerë, është shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ngjarje e ndodhur më 27 prill dhe e dyshuar nga autoritetet si e lidhur me gjakmarrjen.





