Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar një proces të paanshëm për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Në fjalën e tij, Gucati tha se veteranët nuk janë mbledhur për të mbrojtur individë, por atë që ai e cilësoi si të vërtetën e popullit të Kosovës dhe luftën për liri.
“Nuk jemi mbledhur për ta mbrojtur individin, por për ta mbrojtur të vërtetën e një populli që luftoi për lirinë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e Kosovës. Kërkojmë një proces të paanshëm.”, tha Gucati.
Ai i cilësoi aleatët ndërkombëtarë si mbështetës të Kosovës në ditët më të vështira, kur, sipas tij, populli luftonte për mbijetesë.
“Ishin aleatët tanë në ditët më të vështira kur populli luftonte për mbijetesë.”
Në përfundim, Gucati theksoi se kërkesa e tyre është për drejtësi dhe jo për ndryshimin e historisë së Kosovës.
“Ne kërkojmë drejtësi, jo që historia e kombit tonë të rishkruhet.”





