Kimi Antonelli ka marrë një tjetër fitore në Formula 1, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Spanjës në Madrid dhe duke regjistruar suksesin e tetë të sezonit.
Piloti i Mercedesit shkroi historinë në garën e parë të zhvilluar në pistën e re Madring, duke e mbyllur garën përpara Max Verstappen dhe Lando Norris.
Antonelli e nisi garën nga vendi i dytë, pas Lando Norris, por arriti të përfitonte nga një Virtual Safety Car në një moment vendimtar. Strategjia e Mercedesit rezultoi efikase, ndërsa një ndalesë jo e mirë në bokse për Norris e nxori pilotin e McLaren nga beteja për fitoren.
Pas përfundimit të 14 garave të sezonit, Antonelli kryeson kampionatin me 292 pikë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, George Russell, ndodhet në vendin e dytë me 211 pikë.
Diferenca mes dy pilotëve të Mercedesit ka shkuar tashmë në 81 pikë.
Në podium, pas Antonellit u rendit Max Verstappen në vendin e dytë, ndërsa Lando Norris u pozicionua i treti. Charles Leclerc e përfundoi garën në vendin e katërt, ndërsa George Russell u rendit i pesti.
Për Antonellin, kjo është fitorja e tetë në 14 gara të sezonit 2026. Italiani kishte triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Italisë në Monza, ku u nis nga vendi i 19-të dhe arriti një rikthim spektakolar deri te fitorja.
Me suksesin në Madrid, 20-vjeçari konsolidon edhe më shumë pozitat në krye të kampionatit dhe forcon kandidaturën për titullin botëror.
Megjithatë, beteja për kampionatin është ende e hapur. Nëntë gara mbeten për t’u zhvilluar, ndërsa Antonelli tashmë ka krijuar një avantazh të konsiderueshëm ndaj rivalëve të tij.





