Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, i është përgjigjur akuzave të deputetit demokrat Bardh Spahia lidhur me emërimin e Yllka Kukalajt në drejtimin e OSHISH.
Në një reagim në Facebook, Spahiu ka shpjeguar arsyet që, sipas saj, kanë çuar në zgjedhjen e Kukalajt, duke vënë në pah përvojën e saj profesionale në administrimin shëndetësor.
Sipas ministres, Kukalaj nuk është zgjedhur për të mësuar nga e para funksionimin e institucionit, por sepse e njeh tashmë sistemin dhe përgjegjësitë që lidhen me drejtimin e tij.
Spahiu thotë se Yllka Kukalaj është ekonomiste dhe ka drejtuar sektorin e buxhetit dhe pagave në Bashkinë e Krujës, përpara se të merrte drejtimin e spitalit të qytetit.
Ajo ka qëndruar në këtë detyrë gjatë periudhave të rëndësishme, përfshirë tërmetin, pandeminë dhe rindërtimin e godinës së spitalit.
“Pse Yllka Kukalaj? Sepse në atë detyrë nuk më duhet dikush që ta mësojë punën. Më duhet dikush që e njeh atë”, shkruan Spahiu.
Ministrja i është përgjigjur edhe kritikave se Kukalaj është një person “anonim”. Sipas saj, ajo mund të jetë e panjohur në qarqet politike të Tiranës, por jo për spitalin që ka drejtuar dhe pacientët që kanë marrë shërbim gjatë viteve të saj në atë detyrë.
“Burrave u numërohen heroizmat. Grave u numërohen kushërinjtë”
Një pjesë të reagimit Spahiu ia ka kushtuar edhe akuzave që lidhen me të afërmit e Kukalajt.
Ministrja e cilëson këtë si një mënyrë të vjetër të sulmit ndaj grave që marrin poste publike, ku vëmendja, sipas saj, largohet nga karriera dhe puna e tyre dhe përqendrohet te lidhjet familjare.
“Burrave u numërohen heroizmat. Grave u numërohen kushërinjtë”, shkruan Spahiu.
Ministrja thekson se Kukalaj do të vlerësohet për punën që do të bëjë në OSHISH, njësoj si çdo drejtues tjetër që do të emërohet gjatë mandatit të saj.
Në fund të reagimit, Spahiu e lidh emërimin me mënyrën se si synon të drejtojë institucionet shëndetësore, duke vendosur përpara, sipas saj, profesionin dhe interesin e qytetarit.
“Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncesionit”, shkruan ministrja, duke shtuar se për këtë qasje nuk ka ndërmend të tërhiqet.





