Pamjet filmike të sekuestruara nga policia greke kanë ndihmuar në zbardhjen e dinamikës së përplasjes me armë në një lokal në Kalivi, ku dy persona mbetën të plagosur. Nga shqyrtimi i pamjeve, policia konfirmoi se një nga personat kryesorë të përfshirë në ngjarje ishte shqiptari Alket Rizai, i cili ndodhej jashtë qelisë pasi kishte përfituar leje nga Burgu i Domokos.
Ngjarja nisi rreth orës 05:15 të mëngjesit, kur policia mori njoftimin për të shtëna me armë. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, nuk gjetën persona, por konstatuan dy gëzhoja dhe njolla gjaku.
Pak më vonë, Qendra Shëndetësore e Kalivisë njoftoi autoritetet se për ndihmë mjekësore kishin mbërritur dy persona të plagosur: një 20-vjeçar grek, i cili kishte marrë një plagë nga fragmentet e xhamit në kyçin e këmbës, si dhe një 41-vjeçar pakistanez, i cili kishte një plagë plumbi në pulpë.
Të dy rezultuan të ishin punonjës të lokalit. Bashkë me pronarin e biznesit, ata kanë dhënë dëshmi për ngjarjen, por sipas autoriteteve, versionet e tyre nuk kanë qenë të njëjta.
Si nisi sherri?
Sipas hetimeve, konflikti nisi pasi pronari i lokalit kërkoi uljen e muzikës, pasi klientët kishin filluar të largoheshin.
Në atë moment, Alket Rizai dyshohet se doli në parking dhe vendosi muzikë me volum të lartë në automjetin e tij. Pronari doli jashtë për t’i tërhequr vëmendjen, duke u shqetësuar se zhurma mund të sillte ndërhyrjen e policisë.
Debati më pas degjeneroi në përplasje fizike, ku ndërhynë edhe persona të tjerë të stafit.
Gjatë sherrit, Rizai dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në ajër. Më pas, sipas hetimeve, një shtetas afgan, i dyshuar se ishte pjesë e sigurisë së lokalit, ka hapur gjithashtu zjarr. Edhe ky person është shpallur në kërkim.
Nga të shtënat dhe rikoshetet e plumbave mbetën të plagosur dy punonjësit e biznesit.
Pas ngjarjes, Alket Rizai dhe dy miqtë e tij u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me automjet.
Ndërkohë, pronari i lokalit është arrestuar, pasi dyshohet se ka dhënë deklaratë të rreme për autoritetet.
Rizai përballet me afatin për t’u kthyer në burg
Ngjarja ka marrë rëndësi të veçantë për autoritetet greke edhe për shkak të statusit të Rizait. Ai ndodhej jashtë burgut pasi kishte përfituar leje nga Burgu i Domokos.
Sipas të dhënave të hetimit, 15 shtatori ishte afati i fundit që ai të kthehej në qeli. Nëse nuk paraqitet në kohë, Rizai rrezikon të shpallet zyrtarisht i arratisur.
Policia greke vijon kërkimet për Rizain dhe personat e tjerë të përfshirë, ndërsa po heton edhe rrethanat e plota të përplasjes me armë.





