Të jesh nëna e një prej njerëzve më të pasur në botë nuk do të thotë domosdoshmërisht të jetosh në luks. Maye Musk, 78 vjeç, nëna e sipërmarrësit Elon Musk, ka treguar se kur viziton të birin në Starbase të Teksasit, është krejtësisht e kënaqur të flejë edhe në garazh.
Modelja dhe dietologia ka rrëfyer se gjatë jetës është mësuar me kushte të thjeshta dhe nuk e konsideron problem të flejë në një divan apo edhe në një dyshek të vendosur në dysheme.
“Nëse kam një divan ose një dyshek në dysheme, jam mirë”, është shprehur Maye Musk, duke shtuar se edhe të kesh një çati mbi kokë mund të konsiderohet luks.
Ajo ka treguar se edhe gjatë vizitave në Starbase, qendrën e kompanisë SpaceX në Teksas, kushtet e saj të qëndrimit nuk janë të veçanta.
“Flej në garazh kur vizitoj Elonin dhe kjo nuk më shqetëson”, ka rrëfyer ajo.
Maye e lidh këtë mënyrë jetese me fëmijërinë e saj, kur familja udhëtonte dhe kamponte në shkretëtirën Kalahari. Sipas saj, këto përvoja e kanë mësuar të përshtatet me kushte të ndryshme dhe të mos e lidhë rehatinë vetëm me luksin material.
Nga një martesë e vështirë te suksesi profesional
Rrëfimi i saj vjen në kuadër të promovimit të librit të ri, “Timeless: The Art of Reinvention and Resilience at Any Age”, i publikuar më 15 shtator.
Në libër, Maye Musk rrëfen etapa të ndryshme të jetës së saj, nga vështirësitë personale dhe rritja e tre fëmijëve, deri te karriera shumëvjeçare si dietologe dhe modele.
Ajo ka folur gjithashtu për martesën e vështirë me Errol Musk, të cilën e ka përshkruar si abuzive, si dhe për përpjekjet për të rindërtuar jetën dhe karrierën pas ndarjes.
Në moshën 50-vjeçare, Maye u zhvendos në Nju Jork, ku karriera e saj në modeling mori një hov të ri gjatë dekadave pasuese.
Edhe sot, në moshën 78-vjeçare, ajo vijon të jetë aktive profesionalisht, duke dëshmuar se mosha nuk e ka penguar të vazhdojë angazhimet e saj në botën e modës dhe të ushqyerit.





