Pamje të filmuara me dron në Liqenin Artificial të Tiranës kanë rikthyer vëmendjen te gjendja e ujit dhe prania e peshqve të ngordhur në sipërfaqe.
Videoja, e realizuar gjatë paradites së sotme, tregon ujë me ngjyrë të gjelbër të errët, ndërsa në disa zona dallohen edhe shtresa algash. Në një moment të videos shihet një peshk i ngordhur që lundron në sipërfaqen e liqenit.
Qytetari që ka realizuar pamjet tregon se ishte duke shëtitur me familjen kur vendosi të filmonte liqenin nga ajri, por ajo që pa e shqetësoi.
“Kjo është një video e paradites së sotme nga liqeni. Po bëja shëtitje me familjen dhe mendova të filmoja diçka nga lart, por pamjet ishin vërtet të trishtueshme. Mu duk si vend grumbullimi i ujërave të zeza”, shprehet ai.
Pamjet ngrenë pikëpyetje mbi gjendjen e ujit në liqen, por nga videoja nuk mund të përcaktohet shkaku i ngjyrës së ujit apo i ngordhjes së peshkut.
Po ashtu, nuk mund të konfirmohet nëse bëhet fjalë për ndotje nga ujërat e zeza. Për të përcaktuar shkakun nevojiten verifikime në terren dhe analiza laboratorike nga institucionet përgjegjëse.





