Prokuroria e Fierit ka vijuar hetimet për një skemë të dyshuar të përfitimit dhe regjistrimit të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit.
Në kuadër të hetimeve, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Fier ka ekzekutuar tre masa të tjera sigurie ndaj shtetasve Ervin Habilaj, Ertis Shehu dhe Emiljano Ruko.
Ervin Habilaj, 49 vjeç, banues në Vlorë, është arrestuar pasi Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Në pranga ka përfunduar edhe Ertis Shehu, 46 vjeç, banues në Tiranë dhe ish-drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar masën e dytë të sigurisë “Arrest në burg”. Shehu ishte vënë në pranga tre ditë më parë, ndërsa kjo është masa e dytë e sigurisë ndaj tij në kuadër të hetimeve.
Ndërkohë, për Emiljano Rukon, 40 vjeç, banues në Fier, Gjykata ka caktuar masën “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Në periudhën kur dyshohet se janë kryer veprimet, Ruko ushtronte detyrën e topografit pranë ASHK-së Fier.
Sipas Policisë, nga hetimet ka rezultuar se Ervin Habilaj, në bashkëpunim me ish-drejtorin e ASHK-së Fier, Ertis Shehu, dhe me ndihmën e Emiljano Rukos, “kanë falsifikuar dokumente, me qëllim përfitimi të padrejtë”.
Hetimet kanë nisur në kuadër të një procedimi penal për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Prokuroria dhe Policia bëjnë me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e rasteve të tjera të dyshuara të shpërdorimit të detyrës, fshehjes së të ardhurave dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe për dokumentimin e përfshirjes së personave të tjerë në këtë skemë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.





