Dy persona janë arrestuar në Vlorë, pasi u kapën duke tentuar të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantë të huaj, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin për të vijuar më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Operacioni i koduar “Kufijtë” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve për parandalimin e veprimtarisë kriminale që lidhet me ndihmën ndaj shtetasve të huaj për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në pranga ranë shtetasit A. D., 50 vjeç dhe F. Ç., 59 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Ata u kapën në vendin e quajtur “Pagane”, pranë vijës kufitare me Greqinë, ndërsa ndodheshin me dy automjete me të cilat, sipas Policisë, do të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantët.
Gjashtë shtetasit e huaj, nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, u proceduan penalisht, pasi rezultoi se kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, duke kaluar kufirin tokësor me Greqinë.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi edhe dy automjetet që do të përdoreshin për transportimin e emigrantëve.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe zbardhjen e veprimtarisë së personave të përfshirë.





