Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja lidhur me akuzat ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
E ftuar në emisionin “Opinion”, Lala tha se hetuesit dyshojnë se Hyseni ka vënë në dispozicion të biznesmenit Ergys Agasi informacione të siguruara për shkak të pozicionit të saj në krye të SHISH-it, të cilat nuk ishin të destinuara për t’u bërë publike.
Sipas Lalës, dyshimet janë ngritur mbi prova të siguruara nga pajisje përgjimi, të dhëna të administruara nga telefoni i Agasit në momentin e arrestimit, si dhe nga vëzhgimet e kryera gjatë hetimit.
Mes materialeve të administruara dyshohet se ka edhe komunikime të drejtpërdrejta mes Hysenit dhe Agasit.
Hyseni dyshohet se ka informuar Agasin për lëvizje dhe veprime të strukturave policore, duke i vënë në dispozicion informacione që lidhen me infrastrukturën dhe veprimet e autoriteteve gjatë kohës që ai ishte në kërkim.
Gjithashtu, dyshohet se ish-drejtuesja e SHISH-it i ka dhënë Agasit informacione personale që lidheshin drejtpërdrejt me të gjatë periudhës kur ishte në kërkim.
Sipas gazetares, Hyseni dyshohet se i ka vënë në dispozicion edhe të dhëna dhe dokumente për persona të tjerë, të cilat ajo dyshohet se i kishte siguruar falë funksionit që mbante.
Klodiana Lala tha se, mbi bazën e materialeve të administruara gjatë hetimit, Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se në këtë fazë ekzistojnë prova të mjaftueshme për caktimin e masave të sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it.





