Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është pyetur gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale për pretendimet e publikuara në mediat rumune lidhur me ish-drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni, dhe ish-zyrtarin rumun të inteligjencës, Florian Coldea.
Në përgjigjen e tij, Berisha ngriti akuza ndaj Hysenit, Coldeas dhe kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se personat e përmendur kanë vepruar sipas urdhrave të kryeministrit. Ai i lidhi këto pretendime edhe me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me strukturat e sigurisë dhe krimin e organizuar.
Gjatë bashkëbisedimit, qytetari Nard Elshani iu referua raportimeve të mediave rumune, sipas të cilave Vlora Hyseni është trajnuar nga Florian Coldea, ish-kreu i shërbimeve sekrete rumune, ndërsa më pas Coldea, në vitin 2023, zuri vendin e Hysenit si këshilltar i sigurisë.
Elshani ngriti gjithashtu pretendime për praninë e Coldeas në Tiranë dhe për lidhje të mundshme mes krimit shqiptar dhe karteleve meksikane.
Në përgjigjen e tij, Berisha tha:
“E vërteta është se edhe Vlora Hyseni dhe Coldea dhe të gjithë janë ushtarë të padrinos.
Ata kanë zbatuar dhe zbatojnë porositë e Edi Ramës. Unë ju them ju, ata kanë filluar të rrëfehen tani. Të rrëfehen, kush i urdhëroi ata për këtë vepër dhe për atë vepër.
Të gjitha përgjigjet janë Edi Rama. Pa përjashtim. Ja u them unë ju.”
Berisha vijoi me pretendimet e tij ndaj Coldeas, duke deklaruar:
“Coldea ka kohë që punon me Edi Ramën dhe paguhet shumë nga Edi Rama, është një ish-drejtues i organizatës më famëkeqe të policisë sekrete pas sigurimit të shtetit, Sekuritatit Rumun.”
Në fund, Berisha bëri edhe një deklaratë për ish-drejtoren e SHISH, duke thënë:
“Vlora Hyseni ishte shërbëtore e dy zotërinjve. E padronit Vuçiç dhe argatit Rama.”
Deklaratat e Berishës janë akuza dhe pretendime të tij politike, ndërsa pretendimet e përmendura për lidhjet mes personave të sipërpërmendur kërkojnë verifikim nga burime të pavarura dhe autoritetet përkatëse.





