Një 28-vjeçar me origjinë nga Filipinet ka humbur jetën në Durrës, pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa ndodhej në një varkë në det.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:20, në lagjen nr. 1 të Durrësit. I riu, shtetasi filipinez me inicialet A. R., ishte punëtor i një firme private dhe po punonte me një pompë për heqjen e ujit nga varka.
Gjatë punës, 28-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe, si pasojë, ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
“Durrës/Informacion paraprak-Rreth orës 12:20, në lagjen nr. 1, Durrës, në një varkë që ndodhej në det, shtetasi filipinez A. R., 28 vjeç, punëtor i një firme private, duke punuar me një pompë për heqjen e ujit nga varka, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Si pasojë, ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”





