Aktori Sylvester Stallone ka folur hapur për një periudhë të vështirë të karrierës së tij, kur obsesioni për të mbajtur një fizik ekstrem në Hollywood ndikoi edhe në marrëdhënien e tij me ushqimin dhe peshën.
Në një intervistë për “The New York Times”, aktori 80-vjeçar tregoi se për përgatitjen e rolit në “Rocky III” kishte arritur të kishte rreth 2.6% yndyrë trupore.
Sipas Stallone, dëshira për ta ruajtur atë formë fizike u kthye në një obsesion, deri në atë pikë sa ai zhvilloi bulimi.
“U bëra bulimik”, ka rrëfyer aktori, duke shtuar se në atë periudhë ushqimi dhe pesha ishin shndërruar në një betejë të vazhdueshme.
Stallone foli gjithashtu për përdorimin e steroideve për të ruajtur fizikun ekstrem. Ai tha se i përdorte në cikle gjashtëjavore, të ndjekura nga gjashtë javë pushim, ndërsa pranoi se kjo mënyrë jetese pati një kosto të rëndë për trupin e tij.
Aktori tregoi se më vonë e kuptoi më qartë pasojën e këtij obsesioni, veçanërisht gjatë xhirimeve të “Cop Land”, ku duhej të shfaqej me një fizik krejtësisht ndryshe nga ai i personazhit Rocky.
Gjatë viteve, Stallone ka kaluar nëntë ndërhyrje në shpinë, dy në shpatulla dhe tre ndërhyrje në qafë. Ai pranoi se përpjekja për të mbajtur vazhdimisht një fizik ekstrem i ka kushtuar shtrenjtë.
Rrëfimi i aktorit vjen në prag të filmit “I Play Rocky”, i cili tregon historinë e realizimit të filmit të parë “Rocky” dhe pritet të shfaqet në kinema në nëntor.





