Ditët e ftohta dhe temperaturat e ulëta, duket se ende nuk kanë mbaruar, çka transmetohet direkt edhe te shëndeti i gjithsecilit prej nesh. Lodhje, mungesë fuqie, prekje nga virozat, dhembje koke, shpesh herë edhe të pamotivuar e nën stres. Në fakt studimet tregojnë se stina e dimrit lodh njeriun, qoftë në anën fizike ashtu edhe mendore.
Zgjidhja? Mesa duket kalon nga tavolina! Super ushqimet, kështu i cilësojnë dietologët, kjo për shkak të nivelit të lartë të vlerave ushqyese të domosdoshme për shëndetin, mbrojnë organizimin nga sëmundjet dhe karikojnë “bateritë” për të përballuar me fuqi këtë stinë të lodhshme.
Karota
Ka në përbërje vitaminë A dhe K, beta-karoten. Parandalon sëmundjet kardiovaskulare dhe ndihmon në shëndetin e syve. Mënyra më e mirë për t’i konsumuar: grini karotat në feta rrethore, përziejini me vaj ulliri, hidhni sipër rozmarinë të freskët.
Çokollatë e zezë
E pasur me vitaminë B dhe flavonoide, shton humorin e mirë, i bën mirë zemrës. Konsumimi: Mjaftojnë dy kuadrate të çokollatës së zezë për të rikthyer buzëqeshjen.
Salmon
Janë të pasur me vitaminë D e B dhe omega 3, ulin kolesterolin, forcojnë shëndetin e syve dhe zemrës. Konsumimi: Një ide e shkëlqyer kur punohet në grilë me majdanoz dhe limonë.
Kungulli
Përmban vitaminë A, C dhe B6, ka veti anti-inflamatore dhe parandalon kancerin. Konsumimi: Merreni kungullin dhe bëjeni krem përmes mikserit, aromatizojeni me pluhur kanelle.
Brokoli
Të pasur me vitaminë C dhe K, kanë fuqi anti-inflamatore, ndihmojnë dhe forcojnë aparatin tretës. Konsumimi: e zier apo në grilë, brokoli është sërish super ushqim. Por nëse vendosni t’i zieni, hiqini nga vala, vendosini në furrë, spërkatini me vaj ulliri dhe djathë, shihni çfarë pjate e mirë do dalë.
Lakër e kuqe
Tejet e ushqyeshme, përmban vitaminë C dhe substanca që janë në gjendje të mbrojnë nga një sërë sëmundjesh duke vepruar si mburojë.
Limonë dhe portokall
Janë dy fruta antioksidantë, përmbajnë në nivele të lartë vitaminën C dhe kripëra minerale. Ndihmojnë në përthithjen e hekurit, frenojnë plakjen e lëkurës, mbrojnë sistemin imunitar. Limoni gjithashtu mbahet si frutë anti-kancer, falë përmbajtjes së lartë të një substance me funksion të lartë anti-kancer.
Manaferra dhe rrushi
Të pasura me vitaminë C, ndihmojnë në luftën kundër infeksioneve. Konsumimi: Mund të hahen shumë mirë me kos dhe një lugë mjaltë, tejet e shijshme.
Hudhra
E njohur edhe si antibiotik, është një burim i mirë i kalciumit, fosforit dhe selenit, dhe një burim i shkëlqyer i vitaminave C, B6 dhe manganit. Mbrojtëse e zemrës, mban nën kontroll tensionin e gjakut, është një produkt anti-kancer. Konsumimi: Në çdo pjatë është tejet e këshillueshme.
Tërshëra
Përmban në nivel të lartë fibra që ndihmojnë në luftën kundër kolesterolit të keq. Po kështu cilësohet edhe si proteinë bimore. Shumë e mirë nëse konsumohet në mëngjes pasi është e pasur me acide, të domosdoshme për luftën kundër kancerit të zorrës së trashë.
Banania
Një frutë i pandashëm nga përditshmëria jonë, qoftë për çmimin e saj tejet ekonomik por edhe për vlerat ushqyese. E pasur me potasium, fibra, ndihmon për të mbajtur të shëndetshëm sistemin muskulor dhe mban në kontroll tensionin. Është e pasur gjithashtu edhe me vitaminë B6, e domosdoshme për prodhimin e serotoninës, rrjedhimisht ndikon edhe në gjendjen e humorit.
Rrepa e kuqe
Për shkak edhe të pigmentit të kuq, rrepa e kuqe ka fuqi të jashtëzakonshme për të luftuar kundër radikaleve të lira. E pasur me vitaminat A dhe C, ujë që ndihmon shumë në hidratim, është produkt i shkëlqyer për të pastruar organizmin.
Lulelakër
Lulelakra është e pasur me squfur, vitaminë C dhe përmban përbërës bioaktivë, të cilët veprojnë kundër llojeve të ndryshme të kancerit. Lulelakra ka shumë atribute të rëndësishme për shëndetin. Ajo bën pastrimin e mëlçisë dhe heqjen e toksinave që shkaktojnë dëme të qelizave, të cilat çojnë drejt kancerit dhe sëmundjeve të tjera. Ajo gjithashtu përmban fitokimikate që ndihmojnë për të forcuar sistemin imunitar dhe për të zvogëluar kushtet nxitëse. Lulelakra është një burim i shkëlqyer i fibrave, si dhe vitaminës C dhe zinkut, si vendimtare për forcimin e sistemit imunitar, si dhe një burim i mirë i biotinës, vitaminës B dhe folateve. Lulelakra përmban një phytochemical, quajtur sulforaphane, e cila ndihmon mëlçinë të prodhojë enzimat që bllokojnë dhe shkatërrojnë kancerin dhe kimikatet e dëmshme të trupit.
Lakër e Brukselit
Lakrat Brukselit janë të pasura me vitaminë A dhe C, folate, potas, dhe fitokimikale që luftojnë kancerin. Këto perime të pasura me fibër, janë gjithashtu burim i mirë i aminoacideve – një të katërtën e kalorive të tyre e përbëjnë proteinat. Gjithashtu përmban edhe një fitonutritient, të quajtur di-indolylmethane, i cili ndihmon femrat të absorbojnë nivele të balancuara të estrogjenit hormonal. Kjo lakër gjithashtu mendohet se ul nivelet e kolesterolit dhe ka veçori anti-inflamatore.
Qepa
Qepa ndikon në rritjen e rezistencës së trupit, ul dhe normalizon tensionin e gjakut. Specialistët pohojnë se qepa forcon zemrën, hap oreksin dhe lëngu i saj ngordh bakteret, që ndodhen në trup. Qepa është e dobishme edhe ndaj anemisë. Ajo gjithashtu ngordh parazitët, që ndodhen në zorrë dhe ndihmon jashtëqitjen. Nxjerr jashtë trupit substancat e dëmshme, pakëson lodhjen e trurit, normalizon të rrahurat e zemrës. Parandalon sëmundjen e prostatës, ndalon kollën, pastron bronket. Është shumë e dobishme në krizat e astmës. Ul sasinë e sheqerit në gjak. Veçanërisht qepa e kuqe ndihmon për të parandaluar osteoporozën për shkak të përmbajtjes së lartë të kuercetinës, një antioksidant, aktiviteti i të cilit është i lartë. Kufizon infiltrimin e ujit në organizëm dhe parandalon infeksionet e traktit urinar dhe prostatës. Qepa përdoret për trajtimin e inflamacionit të syve dhe traktit respirator.
Fasule e kuqe
Përmbajnë hekur, proteina bimore, potasium, fibra, gjithë këto elemente që mbajnë nën vëzhgim tensionin e gjakut dhe shkatërrojnë kolesterolin e keq.
Shafrani i Indisë
Ka efekt anti-kancer, redukton rrezikun e leucemisë dhe të tetë llojeve te tumorit. Tjetër efekt i saj është lufta kundrejt plakjes së celulave, antioksidant dhe shumë veti të tjera.
Thjerrëza
Thjerrëzat përmbajnë sasi të lartë të vitaminës B dhe C. Gjithashtu ajo përmban një numër të madh të aminoacideve që janë jetike për njeriun.
Bajame
Ashtu sikurse të gjitha frutat e thata edhe bajamet janë shumë të pasura me proteinë, kalcium dhe monosaharide të mira, që ndihmojnë të luftën kundër kolesterolit të keq. Përmbajnë gjithashtu vitaminën B dhe E, si dhe një enzimë që ndihmon organizmin në tretje. Është ideale për mëngjes apo edhe si shoqëruese në sallatë.
Mollë
Janë fruti perfekt për të hidratuar trupin tonë, për shkak të përmbajtjes së lartë të ujit dhe përbërësve mineralë. I njihni tashmë vetitë e mollëve, pasi dihet edhe nga thënia “Një mollë në ditë, mban mjekun larg”, përmbledh të gjitha vetitë fantastike të kësaj frute.
Boronicë
Edhe kjo është një tjetër ushqim që bën pjesë në listën e super ushqimeve. Eliksiri i jetës së gjatë, përmban antioksidantë, anti-inflamator, i bën mirë zemrës dhe venave të gjakut, i pasur me polifenol dhe vitamina, sikurse dhe panxhari.
Arra
Janë kalorike, por monosaharidet, të ashtuquajturat yndyrna të mira dhe përqindja e lartë e Omega 3, antioksidantëve, kryejnë një funksion kaq pozitiv saqë e kompensojnë edhe atë yndyrë që ato kanë. Janë një “bombë” e vërtetë në mbrojtjen kundër sëmundjeve kardiovaskulare.
Vaji i ullirit
Elementi bazë i dietës mesdhetare, përmban në nivel të lartë të yndyrave të mira që ndihmojnë në kontrollin e kolesterolit për një zemër të shëndetshme, gjithashtu është e pasur me antioksidantë dhe vitaminë E.
Spec i kuq
Anti-inflamator dhe antioksidantë. Përveçse një erz perfekte, gjithashtu rrit aftësinë e reagimit të metabolizmit tonë.
Domate
Lista e përbërësve në domaten nuk kanë të sosur. Në domate gjenden vitaminat C, A dhe K. Domatja gjithashtu ndihmon në luftën kundër ftohjes, mban zemrën në formë, sidomos në domate gjenden lipocene dhe karoten, përbërës që ndihmojnë në luftën kundër tumorit të prostatës.
Bukë integrale
Nuk duhet të mungojë kurrë në dietën ushqimore. E pasur me drithëra, qoftë ato integrale, përmban edhe proteina që ulin ndikimin e sheqerit të mirë. Buka integrale është e pasur me vitamina, kripëra minerale dhe fibra.
Sardele
Ndër të gjitha llojet e ushqimeve, sardelet janë më të këshillueshmet, kjo falë përmbajtjes së lartë të omega 3 dhe 6, të domosdoshme për të mbajtur nivelin korrekt të kolesterolit hdl, të konsideruar si “kolesteroli i mirë”. Konsumimi i sardeleve ndihmon shumë edhe për të parandaluar infarktet dhe iktuset.
Çaji jeshil
Çaji jeshil është i pasur me antioksidantë dhe përbërës që ndihmojnë në luftën kundër kancerit. Sipas studimeve, një filxhan me çaj jeshil mjafton për të luftuar radikalet e lira dhe kontribuon në tensionin e gjakut.
Vera e kuqe
Një gotë verë mund të ndihmojë në luftën kundër diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare.