Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur ish-ambasadorit holandez në Kosovë, Robert Bosch, i cili i quajti të pavërteta deklaratat e Mustafës se kompania gjermane “Bilfinger” nuk ka bërë asgjë për rindërtimin e termocentralit Kosova A, shkruan Gazeta Express.
Ish-shefi i Qeverisë në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express ka deklaruar se nga “Bilfinger” nuk është ofruar asnjëherë më shumë se disa faqe Power Point të pamjeve të blloqeve të Termocentralit Kosova A
“S’dëshiroj të merrem me Ambasadorin Bosch, por dua të nënvizoj edhe njëherë se nga Bilfinger nuk na është ofruar asgjë më shumë sesa disa faqe të pamjeve të blloqeve të TE Kosova A në Power Point”, ka deklaruar Mustafa.
Mustafa ka kërkuar nga ish-ambasadori Bosch që ta prezantojë para opinionit dokumentacionin e “Bilfinger-it”.
Ai thotë se si Kryeministër nuk e ka parë asnjëherë këtë dokumentacion, pasi sipas tij, nuk i është prezantuar.
“Ndryshe, pasi Bosch po paraqitet si mbret i të vërtetës le të prezantojë para opinionit dokumentacionin E Bilfingerit me studim të fizibilitetit, me kosto dhe burime të investimit, me saktësim se a do të jenë pajisjet e reja apo të përdorura që do të montohen në Kosova A, me burime të financimit dhe normë të kthimit të investimit. Unë këtë dokumentacion si kryeministër nuk e kam parë kurrë, sepse nuk na është prezantuar”, ka deklaruar Mustafa për Express.
Bosch ka shkruar në Facebook se ka qenë i përfshirë personalisht dhe se Ambasada e Holandës dhe ajo e Gjermanisë kanë bërë gjithçka për ta bindur Qeverinë se përmirësimi i katër prej pesë njësive ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por nuk kishte asnjë rezultat.
“Për fat të keq, e pavërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada gjermane dhe ambasada holandeze, bëmë gjithçka për ta bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një mundësi e humbur që energjia për relativisht pak para të sigurohej duke filluar nga periudha rreth viteve 2017/18”, ka shkruar Bosch.
Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, të hënën ka deklaruar se përfaqësuesit e “Bilfinger” janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”.
Sipas Mustafës, e gjitha çka kanë ofruar ata kanë qenë vetëm 15-20 faqe PoëerPoint.
“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai tha se kanë qenë të interesuar që projektin ta realizojnë me kompaninë Bilfinger, por, sipas tij, kompania ka qenë e painteresuar.
“Kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint. Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend.
“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrikenë Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shkruar Mustafa.