Janë me dhjetëra operacionet e policisë për kapjen e dy të shumëkërkuarve, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, që prej vitit 2020. Mbrëmjen e të martës autoritetet arritën që të binin në gjurmët e njërit prej tyre, Nuredin Dumanit.
Ai u prangos në Fier, i plagosur me armë zjarri, pas një atentati që iu bë pak orë me herët në Elbasan. Por si arriti policia të binte në gjurmët e Dumanit, një personazhi të konsideruar si tejet të rrezikshëm dhe i akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale.
Gazetari Spartak Koka, nga studio e Opinion thotë se të paktën nga informacionet e deritanishme, nuk rezulton që Dumani të ketë dalë në përgjimet e policisë. Duke u ndaluar tek mjekët që e asistuan në shtëpi, ata mësohet i thanë Dumanit se e vetmja mënyrë që kishte për të shpëtuar ishte që të shkonte në spital.
“Policia ka bërë operacione të veçuara për secilin. Për Talo Çelën, nga 2020 mund të jenë bërë rreth 70 operacione të pasuksesshme. Dhe për Nuredin Dumanin po ashtu. Deri në këtë moment që flasim nuk ka informacione që Nuredin Dumani të ketë dalë në përgjime ditën e djeshme.
Ditën e djeshme ka ndodhur një gjë tjetër. Babai i një prej pjesëtarëve të grupit ku bënte pjesë Dumani është lokalizuar në Fier. E dyta, të cilën do duhet ta konfirmojë prokuroria, është që mjekët i kanë thënë Dumanit, ne jemi deri këtu, e vetmja rrugë që ti të shpëtosh është që ti të shkosh në spital dhe t’i nënshtrohesh një operacioni kirurgjikal.
Dhe nga ky moment janë zhvilluar ngjarjet. Sepse ngjarja ka ndodhur në 17:35 dhe arrestimi i Dumanit është bërë në orën 22:35”.
“Të dalim në një aspekt tjetër. Prokuroria e Elbasanit nën drejtimin e prokurorit Kreshnik Ajazi i ka hetuar deri në këto momente të dy grupet rivale, megjithë provat e pakta që mund të kenë lënë përplasjet mes tyre. Dhe për të dy grupet ka persona të shpallur në kërkim, ose të arrestuar, të dyshuar si të përfshirë në ngjarje, si organizatorë apo si ekzekutues.
Mjafton t’ju përmend hetimin për vrasjet e 2020-s, të Regis Runjes dhe Emiliano Ramazanajt ku janë arrestuar 3 persona. Si dhe hetimin për vrasjen e trefishtë tek rrethrrotullimi i Bradasheshit të 30 Dhjetorit 2018, ku është shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar si organizator një person.”