Komuniteti Europian i Transportit vuri në dukje se shpenzimet aktuale të Rajonit të Ballkanit për lidhjen e rrjetit të transportit me arteriet kryesore te Europës (TEN-T) po rezultojnë më të larta se përllogaritjet në studimet e fisibilitetit.
“Vlera e parashikuar e projekteve aktualisht në portofolin e partnerëve Rajonal në masë të madhe tejkalon shumën e financimit në dispozicion sipas kornizës së WBIF. Kapaciteti i partnerëve rajonalë për të mobilizuar burime shtesë në këtë drejtim (kryesisht në forma e financimit buxhetor dhe komercial/palë e tretë, kreditë) është gjithashtu e kufizuar, pasi raportet PBB/borxh në rajon ndryshojnë ndjeshëm”, vuri në dukje Komuniteti Europian i Transportit në një rishikim të fundit për ecurinë e zhvillimit të lidhjeve me rrjetin TEN-T.
Komuniteti Europian vuri në dukje se, duhet një qasje më e fokusuar në nivel rajonal, për të siguruar përdorimin optimal nga burimet e disponueshme financiare, duke ndërtuar me kosto më të lira.
Tipik është rasti i Autostradës Ardiatio- Joniane, e vetmja linjë rrugore që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin TEN-T, segmentet e së cilës Shqipëria i ka kontraktuar me kontratat PPP me vlera shumë më të larta se studimi i fisibilitetit.
Komuniteti i Transportit vuri në dukje se, vendet duhet të rendisin projektet bazuar në performancën ekonomike të projektit, duke maksimizuar përdorimin e financimit të granteve.
Ekziston një nevojë e përgjithshme për të përmirësuar planifikimin dhe prioritizimin në nivel rajonal. Raporti i vlerësimit vë në dukje se sa i përket projekteve me prioritet më të lartë, zbatimi në kohë i tyre kërkon ende burime të konsiderueshme institucionale dhe financiare, si dhe angazhim të vendosur politik.
Ndjekja alternativave paralele vetëm do të krijojë tendosje shtesë mbi burimet e kufizuara në dispozicion dhe gjithashtu mund të ndryshojë performancën ekonomike të projekteve të ardhshme për të cilat kërkohet financimi me grante, vë në dukje Komuniteti i Transportit.
Nën ombrellën e Axhendës së Konektivitetit BE ka dhënë një mbështetje financiare të konsiderueshme. Financimet e siguruara për 62 projekte të TEN-T në Rajon kanë marrë një vlerë të përbashkët prej gati 12 miliardë euro.
Shpenzimet e përgjithshme për zhvillimin e infrastrukturës TEN-T në rajon pritet të mbeten të larta gjatë viteve të ardhshme. Jo më pak se 9 miliardë euro në financim grant është duke u mobilizuar, teksa një shtesë 20 miliardë euro duhet gjetur gjatë dekadës në vijim.
Nëse projektet ecin sipas planit, BE do të shtojë më tej fondet. Përveç projekteve që tashmë janë në zbatim, vendet e Ballkanit secila kanë zhvilluar portofola të veta të financimit bazuar në strategjitë e zhvillimit kombëtar të transportit.
Numri i përgjithshëm i projekteve të transportit në vitin 2021 arriti 77, nga të cilat 43 për rrugë, 26 hekurudha dhe 2 porte. investimi total i nevojshëm është 22.5 miliardë euro, nga të cilat, 7.6 miliardë euro për projekte të maturuara dhe 14.87 miliardë euro për projektet në përgatitje.