25.5 C
Tiranë
Monday, September 23, 2024
spot_img

Ceremonia e diplomimit të magjistratëve të rinj/ Manja:” Kam besimin se në sajë të mbështetjes nga të gjithë ne, Shkolla do të prosperojë”

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mori sot pjesë në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve të rinj 2019-2022, që përkon me rastin e 25-vjetorit të krijimit të shkollës.

Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për mbështetjen e Shkollës së Magjistraturës, veçnërisht partnerët ndërkombëtarë

Fjala e Ministrit të Drejtësisë z. Ulsi Manja në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve të rinj 2019-2022

I nderuar President i Republikës, Të nderuar Shkëlqesi ambasadorë, I nderuar Z. Rakipi, mikpritës i këtij takimi,
Të nderuar studentë, magjistratë, kolegë,

Jam veçanërisht i nderuar sot që jam pjesë e këtij eventi jubilar ku kremtojmë 25 vjetorin e themelimit të Shkollës së Magjistraturës, boshtit të formimit të magjistratëve tanë. Shkolla u themelua në kohën kur Shqipëria u përball me periudhën më të errët të epokës post-komuniste: në vitin e mbrapshtë 1997. Prandaj, krijimi i Shkollës së Magjistraturës ishte një rreze shprese për ngritjen e institucioneve funksionale dhe formësimin e një sistemi gjyqësor profesional dhe distant nga politika.

Që në ngjizjen e Shkollës, krahas ekpit të nderuar të themeluesëve, Shkolla është mbështetur pakursim nga partnerët ndërkombëtarë. Ndaj dua ti falenderoj veçanërisht të gjithë partnerët. Me shumë largpamësi ata kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë pareshtur për një arsim dinjitoz të magjistratëve që duhet ti zbardhin faqen gjyqësorit e prokurorisë.

Mbi këto baza solide, Shkolla krijoi një reputacion të lavdërueshëm dhe një histori suksesi. Të vetmet konkurse që nuk u kontestuan asnjëherë ishin konkurset e pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Brezat e parë të magjistratëve të diplomuar nga Shkolla rriti ndjeshëm cilësinë e trupave të ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Studentët e Shkollës së Magjistraturës kanë pasur fatin të trajnohen nga një plejadë e nderuar stafi pedagogjik, disa prej të cilëve kemi sot nderin ti kemi në këtë takim. Ndërsa për të tjerë që fatkeqësisht nuk janë më midis nesh, përulemi ndaj kujtimit dhe kontributit të tyre.

Me reformën në drejtësi, falë ndryshimeve kushtetuese Shkolla e Magjistraturës u ngrit në nivelin e një organi të përmendur në Kushtetutë. Falë ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi sot Shkolla është e vetmja portë hyrëse në profesionin e gjyqtarit dhe prokurorit. Kriteret për pranim u konceptuan që në fillesat e reformës si të arritshme vetëm nga kandidatë të një profili profesional dhe etik tejet serioz. Përgjatë këtyre viteve, Shkollës i është dashur të përballet me nevojat në rritje për gjyqtarë e prokurorë të rinj, por me një mision të vetëm : për hir të shpejtësisë të mos bëhet asnjëherë kompromis në cilësinë e magjistratëve që do ti shërbejnë sistemit.

Sot më shumë se kurrë paraqitet e nevojshme që Shkolla e Magjistraturës të përqafojë një vizion të ri. Përveç njohurive teknike të profesionit, Shkolla duhet ti aftësojë studentët me «zanatin e gjyqtarit dhe atë të prokurorit », që përtej njohurive më libra, ka në themel aftësimin për trajtimin me drejtësi e barazi të çdo çështjeje. Sot Shkolla duhet të shikojë përpara për të qënë një qendër multifunksionale e aftësimit juridik në praktikë për profesionistë të ligjit të sektorit publik e privat.
Shkolla e Magjistraturës duhet të jetë një qendër ekselence e mendimit juridik profesionist për t’i shërbyer ligjbërjes me të gjithë korpusin e përvojës praktike që ka krijuar ndër vite. Ilustrimi më i mirë i këtij kontributi është edhe puna intensive e kryer nga pedagogët e Shkollës në bashkëhartimin e Kodit të ri Penal. Duhet jo vetëm ti vijojmë, por dhe ti forcojmë këto ura bashkëpunimi që kemi ngritur, në funksion të një ligjbërje cilësore.

Të nderuar miq të Shkollës,
Të gjitha këto sfida i paraqiten Shkollës përpara. Por kam besimin se në sajë të mbështetjes nga të gjithë ne, Shkolla do të prosperojë. Dëshiroj të shpreh këtu të gjithë angazhimin e Qeverisë Shqiptare, si dhe angzhimin tim personal si Ministër i Drejtërisë për t’i dhënë prioritet maksimal plotësimit të nevojave për një aftësim cilësor të magjistratëve dhe gjyqtarëve e prokurorëve në detyrë. Dëshiroj të theksoj, se krahas mbështetjes buxhetore, po i japim prioritet maksimal përgjatë vitit të fundit sistemimit të Shkollës në një godinë dinjitoze në funksion të misionit fisnik të Shkollës.
Më lejoni ta mbyll këtë fjalë me urimet më të mira dhe vetëm suksese në punën e tyre të nderuar të magjistratit dhe pedagogut të shkollës. Një urim i veçantë shkon sot për të gjithë studentët që fillojnë rrugëtimin e tyre në këtë Shkollë, disa prej tyre edhe nga rradhët e stafit të Ministrisë së Drejtësisë. T’ju prijë e mbara!

Faleminderit!

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT