Më shumë se 2,000 njerëz kanë vdekur pas një tërmeti të fuqishëm që goditi Afganistanin perëndimor, thanë të dielën talebanët, teksa vendi po lëkundet nga një tërmet tjetër në një kohë krize të thellë ekonomike.
Tërmeti me magnitudë 6.3 goditi të shtunën 25 milje (40 kilometra) në perëndim të qytetit Herat në provincën perëndimore të Heratit – i treti më i madhi në Afganistan.
Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mojahid tha se numri i të vrarëve është 2,053 persona, me më shumë 1,240 të lënduar dhe 1,320 shtëpi të shkatërruara plotësisht ose pjesërisht. Ekziston frika se bilanci mund të rritet më tej.
Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në provincën e Heratit dhe ushqime, ujë, ilaçe dhe rroba janë dërguar gjithashtu në vend, shtoi Mojahid.
Tërmeti fillestar u ndje gjithashtu në provincat fqinje të Badghis dhe Farah dhe u pasua nga pasgoditje të shumta.
Një vlerësim i mëparshëm nga OKB-ja kishte treguar një numër më të ulët prej rreth 100 të vdekurve dhe 500 të plagosurve. Afro 500 shtëpi thuhet se u shkatërruan dhe 135 ndërtesa u dëmtuan, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
“Në total, 4,200 njerëz (600 familje) vlerësohen të jenë prekur deri më sot,” tha OCHA.
Imazhet treguan grumbullime masive mbeturinash dhe rrënojash pas shembjes së ndërtesave. Turmat e të mbijetuarve ishin mbledhur në rrugë për siguri.
“Mahal Wadakah kuptohet se është fshati më i prekur”, tha OKB, duke raportuar të paktën 20 vdekje. Zonat e tjera të prekura keq përfshijnë Dasht Hows, Bahadorzai, Zoryan dhe Koshkak, shtoi ai.
“Për më tepër, rreth 300 familje (rreth 2,100 njerëz) raportohet se janë zhvendosur në qytetin e Heratit, ku ata jetojnë në ndërtesa të braktisura.”