Një lokal nate në zonën e Potamit në Himarë dyshohet se ishte kthyer në një pikë të shitjes së lëndëve narkotike. Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Late-night”, duke arrestuar në flagrancë pronarin e subjektit dhe një prej punonjësve të tij.
Në pranga kanë rënë shtetasit M. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë, pronar i lokalit, dhe A. Gj., 20 vjeç, banues në Lazarat, i cili punonte si banakier.
Sipas Policisë, operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara gjatë punës operative se në një lokal nate në plazhin e Potamit shiteshin lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit fizik të 20-vjeçarit, uniformat blu gjetën 5 doza të dyshuara kokainë dhe 8 doza të dyshuara kanabis.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e pronarit 33-vjeçar, u sekuestruan 145 doza të dyshuara kokainë, një peshore elektronike dhe një armë sportive, pistoletë, e cila dyshohet se mbahej pa leje.
Policia njoftoi:
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, se në një lokal nate në plazhin e Potamit, shiteshin lëndë narkotike, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin e koduar ‘Late-night’.”
Sipas autoriteteve, ndërhyrja e shpejtë në ambientet e subjektit mundësoi arrestimin në flagrancë të pronarit dhe banakierit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





