Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Ervis Allës, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në hyrje të banesës së Jakup Memishajt në zonën e Dajtit.
Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, organi i akuzës e ka konsideruar të paligjshëm ndalimin e Allës, duke argumentuar se ndaj tij nuk është administruar asnjë provë direkte apo indirekte që të krijojë dyshimin se ai ka vendosur lëndën plasëse në banesën e familjes Memishaj.
Prokuroria vlerëson se nuk mund të konsiderohet si provë fakti që Alla kishte pasur një konflikt të mëparshëm me familjen Memishaj, konflikt që lidhej me një minibar të porositur nga kjo familje në mobilerinë e familjes Alla.
Sipas dëshmisë së Nazmie Myftarajt, familja Memishaj kishte porositur një minibar në Tapizë dhe, megjithëse e kishte paguar, nuk e kishte marrë. Për këtë arsye, familja kishte bërë kallëzim në polici.
Pas këtij kallëzimi, policia kishte ndaluar Ervis Allën. Megjithatë, sipas Prokurorisë, në dokumentacionin e policisë nuk është reflektuar fakti se lokalizimi i Allës ishte kryer në Krujë.
Po ashtu, Prokuroria konstaton se policia nuk ka mbajtur një akt shërbimi për të pasqyruar rrethanat dhe veprimet e kryera gjatë lokalizimit dhe ndalimit të tij.
Në këto kushte, organi i akuzës ka vlerësuar se mungojnë provat që lidhin drejtpërdrejt ose tërthorazi Ervis Allën me vendosjen e eksplozivit në banesën e Jakup Memishajt dhe ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.
Hetimet për ngjarjen dhe identifikimin e autorit të vendosjes së lëndës plasëse vijojnë.





