Rritja e kostos së jetesës është kthyer në një shqetësim madhor për familjet shqiptare, ndërsa çmimet e ushqimeve, strehimit dhe transportit vijojnë të rëndojnë buxhetet familjare.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, kritikoi modelin ekonomik të vendit, duke e lidhur rritjen e kostove me importet, konkurrencën dhe përqendrimin e tregjeve.
Sipas Kedhit, inflacioni në korrik arriti nivelin më të lartë në mbi dy vite, ndërsa rritja e çmimeve është ndikuar veçanërisht nga ushqimet, strehimi dhe transporti.
“Ja kemi kaluar Europës me çmimet, por krahasohemi me vendet më të varfra për mirëqenien”, deklaroi ai.
Kedhi solli në vëmendje edhe peshën që zënë ushqimet në buxhetin e familjeve shqiptare.
“Familja shqiptare shpenzon rreth 40% të gjithë buxhetit vetëm për t’u ushqyer. Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 13%”, tha nënkryetari i PD-së.
Sipas tij, një tjetër problem madhor është kostoja e strehimit, veçanërisht në Tiranë.
“Një apartament 1+1 në Tiranë kushton mesatarisht rreth 590 euro në muaj, ndërsa një 2+1 rreth 954 euro. Kostoja e qirasë sot arrin në 80–90% të të ardhurave dhe në disa raste i kalon ato”, u shpreh Kedhi.
Ai deklaroi gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve hasin vështirësi për të përballuar shpenzimet mujore.
“55% e shqiptarëve thonë se nuk arrijnë të mbyllin muajin, ndërkohë që është 8% mesatarja në BE”, theksoi ai.
Kedhi iu referua edhe të dhënave të Bankës Botërore për varfërinë, duke deklaruar se në vitin 2025 ajo vlerësohej në rreth 23.4% të popullsisë.
“Pra, afërsisht një në katër shqiptarë vazhdon të jetojë nën pragun e varfërisë”, tha ai.
Sipas nënkryetarit të PD-së, situata është pasojë e një modeli ekonomik që, sipas tij, favorizon përqendrimin e tregjeve dhe varësinë nga importet.
“Çmimet janë të larta dhe pagat të ulëta sepse ekonomia jonë prodhon pak, konkurrenca është deformuar dhe tregjet janë përqendruar në pak duar. Prodhimi vendas është dobësuar, varësia nga importi është rritur dhe taksat e kostot artificiale kalojnë zinxhir në zinxhir deri te konsumatori”, deklaroi Kedhi.
Ai kritikoi gjithashtu orientimin e investimeve drejt ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, duke argumentuar se ato duhet të kanalizohen më shumë drejt industrisë, teknologjisë, bujqësisë dhe eksporteve.
“Në fund, të gjithë faturën e paguan qytetari: te çmimi i apartamentit, te qiraja, te ushqimet, te karburanti dhe te paga që nuk rritet dot sa duhet”, u shpreh ai.
Në përfundim, Kedhi deklaroi se për Partinë Demokratike ulja e kostos së jetesës mbetet një nga prioritetet kryesore.
“Për Partinë Demokratike, ulja e kostos së jetesës është një përparësi absolute ekonomike dhe sociale”, tha ai.





