0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Pagat e ulëta po rriten më shpejt, ngushtohet hendeku ndërmjet asaj

Paga minimale u rrit me ritme më të larta se paga mesatare në sektorin privat, duke bërë që hendeku ndërmjet një rroge mesatare dhe minimale të ngushtohet ndjeshëm gjatë vitit 2023.

Të dhënat e INSTAT referojnë se në tre-mujorin e dytë të vitit 2023 paga minimale ishte sa 60.6 për qind e pagës mesatare në sektorin privat nga 55.8 për qind që ishte ky raport në tremujorin e dytë të vitit 2022.

Me tre vendime të njëpasnjëshme qeveria e ka rritur pagën minimale gjatë një vitit me rreth 25% duke e çuar në 40,000 lekë në prillin 2023 nga 32,000 lekë që ishte në tremujorin e parë 2022.

Sakaq paga mesatare në sektorin privat në të njëjtën periudhë të vitit 2023 arriti në 65,901 lekë me rritje 15%, nga 57,613 lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2022.

Qeveria aplikoi rritje rekord të pagës minimale në shkallë vendi në 30 vitet e tranzicionit me qëllim për të nxitur pagesa më të larta edhe në nivelet e tjera të pagave.

Të dhënat tregojnë se edhe paga mesatare në shkallë vendi u rrit me 2023 me ritme rekord në dekadën e fundit, por ato nuk ishin aq të larta se të ruhej diferenca me pagën minimale.

Tregu i punës po gjeneron ofertë të bollshme për punë në profesione që nuk kërkojnë kualifikim. Zhvillimi i turizmit rriti ndjeshëm kërkesën për punonjës të pastrimit, dhe nga në anën tjetër në sektorin e ndërtimit kërkesa për punonjëse krahu është e lartë duke bërë që pagat për këtë kategori të jenë shpesh mbi nivelin minimal.

Rritja e pagave në sektorin privat po nxitet më shumë nga zhvillimet demografike që ka krijuar mungesa jetike për shumicën e aktiviteteve se nga politikat zhvillimore dhe rritja e produktivitetit.

Pavarësisht vendimeve të njëpasnjëshme të qeverisë shqiptare për rritjen e pagës minimale, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj, vendi ka vijuar të ketë pagën minimale më të ulët në Europë, kur krahasohet sipas fuqisë blerëse, sipas përditësimit të fundit të Eurostat, që i përket datës 20 korrik, ku nuk përfshihen të dhënat për Kosovën.

Në Shqipëri paga minimale është 375 euro në korrik 2023. Në Mal të Zi, paga minimale është 532 euro, më e larta në rajon. Në Serbi paga minimale është 460 euro. Maqedonia e Veriut përditësimin e fundit e ka për 6 mujorin e dytë 2021, kur niveli ishte rreth 360 euro. Bosnjë Hercegovina nuk raporton pagë minimale.

Ndërsa paga mesatare bruto për vendet e Ballkanit Perëndimor u luhat midis 800-900 euro në muaj më 2022, nga rreth 520 euro që është mesatarja në Shqipëri, ose mesatarisht rreth 40% më e lartë sesa tek ne.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT