0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Fredi Beleri rrëfen 16 muajt në paraburgim dhe ndikimin e Edi Ramës në karrierën e tij

Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku i Himarës, i cili u dënua për korrupsion zgjedhor nga Gjykata e Posaçme dhe u arrestua më 12 Maj 2023, ka rrëfyer përvoja të tij në paraburgim dhe ndikimin që ka pasur ky proces në karrierën e tij politike. Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Beleri, aktualisht eurodeputet i Greqisë për partinë “Demokracia e Re”, ndau detaje nga periudha e tij në izolim.

Beleri tregon se, gjatë qëndrimit në burg, ka krijuar miqësi të reja me persona që ishin në parim kundërshtarë politikë ose ish-bashkëpunëtorë të kryeministrit Edi Rama. Ai përmend se në sektorin ku ishte i ndaluar ndodheshin edhe figura të njohura politike dhe publike si Lefter Koka, Safet Gjici, Alqi Bllako, dhe kryebashkiakë të ndryshëm.

“Kam qenë në burg me zotin Lefter Koka, Safet Gjici, Alqi Bllako, drejtorët e bashkisë Tiranë, kryebashkiakun e Bulqizës, të Fushë Arrëzit,” shprehet Beleri. Ai shpjegon se nuk kishte pasur njohje me këta individë më parë, por gjatë qëndrimit në të njëjtin ambient, janë miqësuar dhe janë respektuar reciprokisht.

Në intervistë, Beleri gjithashtu ndau përvoja nga debatet politike që ndodhnin në burg, ku kishte diskutime të ashpra mes tij dhe socialistëve të arrestuar, duke u përqëndruar në problemet e drejtësisë dhe mungesën e procedurave ligjore nga SPAK.

Ai e përgënjeshtroi gjithashtu një lajm të përhapur disa javë më parë që ai kishte shpëtuar jetën një ish-kryebashkiaku në burg.

Në lidhje me zgjedhjen e tij si eurodeputet i Greqisë, Beleri shprehu falenderimin për kryeministrin Edi Rama, duke e konsideruar atë si faktor të rëndësishëm në karrierën e tij. “Po të mos ishte Edi Rama, nuk do të isha bërë kurrë deputet në Parlamentin Europian,” tha ai. “Po të mos kishte urdhëruar arrestimin tim, do të isha një kryetar bashkie me probleme shumë të mëdha.”

Beleri, i cili u dënua me 2 vite burgim dhe më pas u lirua me kusht, shpjegoi se do të vazhdojë betejën e tij për drejtësi deri në Gjykatën e Strasburgut dhe ka ndërmend të përfshihet në politikën shqiptare në të ardhmen. Ai theksoi se do të preferonte të ishte kryetar i Bashkisë Himarë dhe shpreson të zgjidhë çështjen në Gjykatën e Strasburgut për të realizuar këtë synim.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT