Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku një grabitje nën kërcënimin e thikës ka ndodhur në një market. Sipas njoftimit të Policisë, një 34-vjeçar me inicialet O.Z. ka hyrë në marketin e lagjes nr. 1 rreth orës 15:30, duke kërcënuar punonjësit për të marrë xhiron ditore.
Gjatë tentativës për grabitje, punonjëset kanë reaguar me rezistencë dhe kanë lajmëruar menjëherë Policinë, duke bërë të pamundur që autori të largohej me paratë. Në përpjekje për t’u arratisur, 34-vjeçari ka plagosur lehtë në dorë një nga punonjëset e marketit.
Policia arriti të ndërhyjë shpejt dhe identifikoi autorin e ngjarjes, duke e vendosur menjëherë në pranga. Ndaj tij do të merren masa ligjore për tentativën e vjedhjes me dhunë dhe plagosjen e lehtë të punonjëses së marketit.